65% e territorit dhe 82% e popullsisë janë në rrezik nga përmbytjet lumore

19 dhjetor 2024 | 14:05

Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “Promovimi i Qasjes Universale në Ujë të Pastër”, organizuar nga Rilindja e Gjelbër dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në këtë konferencë, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Rilindjes së Gjelbër dhe Zyrës së Bashkimit Evropian për bashkëpunim në këtë iniciativë, që njëherësh është edhe dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë.

“Për neve si qeveri, çështja e ujit nuk është vetëm një problem teknik i furnizimit, por një sfidë strategjike që lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike dhe me të ardhmen e ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Ne të gjithë këtu jemi të vetëdijshëm se Kosova përballet me një realitet të ashpër. Ne kemi resurse të kufizuara të ujit dhe jemi ndër vendet me sasinë më të vogël të ujit në rajon. Prandaj, menaxhimi, mbrojtja e burimeve ujore dhe investimet konkrete për të rritur kapacitet tona ujore janë prioritet shtetëror”, u shpreh ai.

Teksa foli për ndryshimet klimatike, kryeministri theksoi se sot 65% e territorit dhe 82% e popullsisë janë në rrezik nga përmbytjet lumore.

Ai përmendi përmbytjet e viteve 2013, 2014 dhe 2016 që shkaktuan dëme të drejtpërdrejta mbi katër milionë euro, ndërsa thatësirat e përsëritura kanë shkaktuar mungesa ujore në 80% të komunave tona.

Kryeministri veçoi hapat që Qeveria ka ndërmarr për t’iu përgjigjur kësaj situate kritike, ku brenda dy vjetëve janë trefishuar stacionet hidrologjike dhe meteorologjike, duke krijuar një sistem të avancuar paralajmërimi të hershëm për përmbytje dhe thatësira, janë nisur projekte të rëndësishme për ndërtimin e rezervuarëve të rinj si në Firajë, Shtime dhe Pollata e shumë të tjerë, që do të rrisin kapacitetet ujore mbi 204 milionë m³ ujë duke siguruar furnizim për ujë të pijshëm dhe për bujqësi.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeministri foli edhe për Strategjinë shtetërore për Ujërat, e cila përfshinë sfidat e ndryshimeve klimatike dhe ndërtimin e një qëndrueshmërie afatgjate. Po ashtu, janë përmirësuar e rritur kapacitetet në Autoritetin Rajonal të Pellgjeve Lumore dhe janë pajisur komunat me harta të avancuara të rrezikut nga përmbytjet për të ndihmuar planifikimin dhe reagimin e shpejtë, si dhe kanë përfunduar investimet tona në impiante të ujërave të zeza në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, teksa projekte të tjera për trajtimin e ujërave të zeza janë akoma brenda listës prioritare të Qeverisë e të cilat do të zbatohen. Të gjitha këto do të kontribuojnë jo vetëm në uljen e ndotjes, por edhe në rritjen e kapacitetit për përdorimin e ujit të pastër për pije dhe ujitje, u shpreh më tej kryeministri Kurti.

Në fund të fjalës së tij, ai tha se qasja në ujë të pastër është çështje drejtësie dhe mbijetese për qytetarët tanë dhe se ky projekt që po përmbyllet sot është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të mbrojtur këtë burim jetik dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme në këtë epokë të sfidave klimatike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Kylian Mbappe thotë se Cristiano Ronaldo së bashku me…