67-shi i PDK-së, Hisen Berisha: Heronjtë me ditarë, shtyllat e kombit
Kandidati për deputet i PDK-së me numër 67, Hisen Berisha, sot ka pasur privilegjin të takojë ata që për muaj të tërë dhanë kontributin e tyre në ndërtimin e një programi arsimor e edukativ të Partisë Demokratike të Kosovës bashkë me kandidatin për kryeministër Bedri Hamza, që synon ta bëjë Kosovën një vend më të ditur, më të zhvilluar dhe më të përgatitur për të ardhmen.
“Në çdo kohë dhe në çdo epokë, kombet e lira dhe të vetëdijshme për të ardhmen e tyre kanë njohur dhe nderuar ata që ndriçojnë rrugën e brezave. Në mesin e këtyre heronjve të pashpallur, por të pazëvendësueshëm, janë mësuesit, ata që mbajnë në duar jo armë, por dije, jo urdhra, por përkushtim, jo përfitime, por sakrificë. Ata nuk janë thjesht profesionistë të arsimit, ata janë arkitektët e vetëdijes kombëtare, themeluesit e një të ardhmeje të ndritur dhe luftëtarët e heshtur të dijes, të cilëve historia u ka borxh më shumë se çdokujt tjetër”, ka shkruar në “Facebook” Berisha.
Ai ka thënë se shtrëngimi i duarve me ta nuk ishte një gjest i zakonshëm. “Ishte një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për mundin, djersën dhe sakrificën që ata bëjnë çdo ditë, shpesh pa marrë vlerësimin e merituar. Arsimi nuk është thjesht një profesion por është një mision. “Ata janë misionarët që mbajnë mbi supe këtë peshë të rëndë, por jetike për ekzistencën dhe përparimin tonë kombëtar”, ka shkruar Berisha.