Parma mbetet në Serinë A, por i hiqen pesë pikë
Klubi italian do të luajë në Serinë A, kurse sulmuesi Emmanuele Calaio është dënuar me dy vjet moslojë.
Parma mund të marrë frymë lirshëm. Skuadra italiane në sezonin 2018-2019 mbetet pjesë e Serisë A, të drejtë që e ka fituar në fushën e lojës, por ajo do ta nisë sezonin e ri me një dënim prej -5 pikësh në renditje.
Gjykata italiane ka dhënë vendimin e saj në lidhje me klubin e sapo kthyer në Serinë A, duke i hequr pesë pikë nga klasifikimi, ndërsa ka dënuar me dy vjet moslojë sulmuesin Emanuele Calaio.
Sulmuesi i Parmës ishte pikërisht ai që u kishte çuar disa mesazhe të dyshimta disa lojtarëve të Spezias në “WhatsApp” duke u kërkuar të mos luanin fort në ndeshjen e fundit të sezonit në Serinë B ndaj tyre. Parma rrezikonte rikthimin në Serinë B pikërisht për shkak të këtyre mesazheve, por ka shpëtuar vetëm me heqje të pikëve.