Mbi 68 mijë qytetarë aplikuan për rimbursim të kuponëve fiskalë
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të gjitha përgatitjet që të tërhiqen numrat potencialë fitues për tremujorin e katërt të vitit 2017 (TM4).
Numri i përgjithshëm i qytetarëve të cilët kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e kampanjës për rimbursim nga kuponët fiskalë është 68 757.
Tërheqja e numrave potencialë fitues do të bëhet më 8 shkurt nga ora 18:00, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
“Pas përfundimit të procesit të tërheqjes së numrave potencialë fitues, qytetarët të cilët kanë numrin potencial fitues të përzgjedhur nga tërheqja, plikon me kuponë fiskalë, së bashku me të dhënat e aplikimit, duhet ta dorëzojnë fizikisht të mbyllur në njërën nga drejtoritë regjionale të ATK-së, brenda afatit prej pesë (5) ditë pune pas publikimit të listës në uebfaqen e ATK-së”, është bërë me dije në njoftimin e ATK-së.