Bashkëshortja e Rexhep Selimit: Takohemi një herë në muaj dhe flasim me video-kamerë
Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit që ndodhet në paraburgim në Hagë, ka thënë se Gjykata Speciale po i mban padrejtësisht në burg drejtuesit e UÇK-së, ndërsa serbët janë të lirë.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, ka thënë se me bashkëshortin bisedojnë çdo ditë ndërsa takohen njëherë në muaj.
Po ashtu, ajo ka bërë me dije se me Selimin bisedojnë edhe me video-kamerë.
“Ka dy vjet që festa e Pavarësisë na gjen të ndarë. Gjykata në Hagë padrejtësisht po mban brenda në burg vetëm shqiptarët dhe serbët rrinë të lirë. Urojmë që fundi i kësaj gjykimi të jetë në favor të shqiptarëve. Komunikimin me Rexhën e kemi të përditshëm. Kemi vizita periodike mujore. Takohemi njëherë në muaj. Kemi komunikim dhe me video. Sipas Rexhës që më ka treguar, secili e kanë dhomën e vet, por kanë dhe një sallon të përbashkët”, ka thënë ajo.
Më tutje, ajo ka thënë se gjykata në Hagë nuk duhet të ishte krijuar fare.
“Politika e Kosovës ishte ajo që themeloi Gjykatën në Hagë, që nuk duhej të ishte themeluar fare. Ministria e Drejtësisë bën pagesat për udhëtimin, qëndrimin fjetjen për familjarët që vizitojnë të burgosurit”, është shprehur ajo.
Ajo ka folur edhe për talentin e bashkëshortit të saj që është piktura.
“Unë dhe fëmijët e mi i dhamë një shtyrje Rexhës që edhe atje të merret me piktura dhe atje. Kur shkoi në Hagë i ofruan mundësi që të merrej dhe me pikturë”, ka thënë Selimi.