7 000 banesa të dëmtuara, 5 000 të pastrehë
Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda bëri të ditur bilancin e deritanishëm të inspektimeve të godinave nga ekspertët e huaj dhe shqiptarë në qarkun e Durrësit.
“Në total deri më tani janë inspektuar 469 objekte, ku 150 janë shpallur të pabanueshme në tre bashki, Durrës, Shijak dhe Krujë. 21 prej tyre në Durrës do të shemben”, ka thënë Voda.
Deri më tani në Shqipëri kanë ardhur ekspertë nga Greqia, Turqia, SHBA, BE, Zvicra dhe Franca, dhe pritet që në ditët në vijim të vijnë të tjerë.
– Bashkia Durrës – 378 Objekte të inspektuara, 150 të pabanueshme, 21 për tu prishur;
– Bashkia Krujë – 46 Objekte të inspektuara, 5 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur;
– Bashkia Shijak – 45 Objekte të inspektuara, 25 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur;
Vazhdon shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, ora 18:30, janë prishur 15 objekte të shkatërruara, 8 objekte në qytetin e Thumanës dhe 7 objekte në Durrës. Aktualisht, në Durrës vijon aksioni dhe po punohet në 8 objekte.