7 marsi: Dita kur vegoi drita e shkëndijave të diturisë

07 mars 2021 | 09:05

“Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe.” / Mithat Frashëri

Hasan Mujaj

Shtatë Marsi i vitit 1887 shënoi ditën vigane e vezulluese të burimit të vrullshëm dituror për gjuhën shqipe e për shqiptarët. Ditë e shenjtë e historisë kombëtare, e cila i shpuri përpara labërgimin dhe ravijëzimin e hullive të para të arsimit kombëtar.
Ecuria historike e shkollës shqipe është e gjatë. Shumë e gjatë. Ajo është e mbushur me emra therorësh zulmëmëdhenj, të cilët ndërtuan themelin e patrandur të vatrave të mësimit e të edukimit në gjuhën shqipe. Në historiografinë shqiptare dëshmohet se disa shkolla shqipe janë hapur që nga gjysma e parë e shek. XVII madje edhe më herët. Me iniciativën e Andrea Bogdanit një shkollë shqipe ka punuar edhe në Janjevë të Kosovës në vitn 1665 mësues i së cilës qe prifti Pjetër Mazreku.
Në kërkimin e gjurmëve historike të arsimit shqip, do përmendur edhe shkolla e Voskopojës, e quajtur Akademia e Re në gjysmën e dytë të shek. XVIII, 1750. Kjo Akademi, që drejtohej nga Teodor Kavalioti, u ngrit në rangun e shkollës së mesme dhe bëri jehonë të madhe për arsimimin në gjuhën shqipe. Pasi e pa misionin e ndritur kombëtar të kësaj shkolle, pushteti turk mori masa represive ndaj saj: ndoqi mësimdhënësit, dogji bibliotekën shumë të pasur të shkollës, rrënoi konviktin e nxënësve, mori shtypshkronjën etj. dhe asgjësoi veprimtarinë e mëtejme të saj. Zhvillimi i shpejtë dhe lartësimi i kësaj shkolle u mor si shkas që Voskopoja, asokohe një nga qendrat më të njohura tregtare në Ballkan, të rrënohej nga pushtimi osman aq sa u shndërrua në një fshat të rëndomtë e të varfër ashtu siç është edhe sot.
Shëmbëlltyrat e ndritura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në krye me Naum Veqilharxhin si në vend, ashtu edhe në kolonitë shqiptare të mërgimit, duke e parë rëndësinë e madhe kombëtare të shkollës shqipe, me të drejtë ndërmorën një veprimtari të thukët me anën e së cilës shtruan kërkesat e ngutshme për t’i hapur shkollat në gjuhën shqipe, të vetëdijshëm se kështu hapnin horizonte të reja morale, persuasive dhe edukative të zgjimit të vetëdijes kombëtare si parakusht parësor për të përforcuar lëvizjen kombëtare për pavarësinë e Shqipërisë. Si pikënisje e këtij përforcimi, ishte parë arsimimi. Andaj, përkushtimi i lëvizjes kombëtare me shumë arsye ishte përqendruar në veprimtarinë e zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe. Filozofi i shquar gjerman- Hegeli, për rëndësinë e arsimit, me të drejtë kishte shkruar: “Arsimi është arti që e bën njeriun etik.” Më se e vërtetë. Hapja e shkollave në gjuhën shqipe qe prioritet i rilindësve shqiptarë.
Përpjekjet për të vënë themelin e shkollës shqipe sa vinin e shtoheshin. Ato gjithnjë merrnin përmasa të një shtrirjeje më të gjerë e më pëmbajtësore për t’u kurorëzuar me sukses më 7 mars të vitit 1887 kur u hap shkolla shqipe në Korçë, që shënoi një arritje të madhe të lëvizjes kombëtare. Kësaj arritjeje historike, hapjes së shkollës shqipe në Korçë, i këndoi me të madh galdim edhe poeti e mendimtari i madh- Naim Frashëri:
“ lumja ti mori Korçë,
që lë pas shoqet e tua.”
Nga vargjet e N. Frashërit, tek spikat patosi i stilit eliptik dhe apelativ, mund të kuptohet se poeti synonte ta afirmonte arritjen e Korçës edhe në krahinat e tjera me qëllimin nxitës që hapja e shollave shqipe të merrej si çështje me përparësi të veçantë. Prandaj, “shoqet” e Korçës duhej të nxitonin për ta zënë Korçën. Pandeli Sotirit i takoi nderi i madh të ishte mësues i parë i kësaj shkolle.
Interesimi për shkollat në gjuhën shqipe sa vinte e po ngrihej si një nga veprimtaritë më relevante të Rilindjes Shqiptare. Katër vjet më pas, në tetor të vitit 1891, po në Korçë, nga iniciativa e motrave Sevasti e Parasqevi Qiriazi si dhe e vëllait të tyre Gjerasim Qiriazi, me ndihmën e madhe edhe të Naim Frashërit, u hap Shkolla shqipe e vashave. Duke e ndjekur me përkushtim këtë mision të lartë drite, disa shkolla u hapën edhe në krahinën e Kolonjës.

Shkolla normale shqipe e Bukureshtit

Duke e ndjekur themelimin dhe funksionimin e shkollave shqipe edhe jashtë trojeve etnike, do vënë në dukje se kontributi i mërgatës shqiptare për të hapur shkolla në gjuhën shqipe qe i thukët, pragmatik dhe i madh. Tejet i madh. Ky kontribut u dëshmua në vepër në vitin 1892 kur, me veprimtarinë e vazhdueshme të shoqërisë kulturore shqiptare “Drita” të Bukureshtit, ku kishin mërguar me mijëra shqiptarë, u hap një shkollë e mesme edhe në gjuhën shqipe e quajtur Normalja e Bukureshtit në të cilën mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe dhe në gjuhën rumune.
Drejtor i Normales së Bukureshtit u zgjodh veprimtari i shquar i arsimimit shqip nga Korça- Nikolla Naço (1841 – 1913). Në këtë shkollë jepnin mësim edhe profesorë universitarë. Shkolla e kishte edhe konviktin e nxënësve. Aty ndoqën mësimet, ndër të tjerë, edhe: Dervish Hima, Jashar Erebara, Mihal Grameno, Aleks Stavri Drenova, Lasgush Poradeci, Shahin Kolonja etj., të cilët, siç dihet, u bënë emra të mëdhenj të veprimtarisë kombëtare, letrare dhe publicistike të Rilindjes Shqiptare. Prandaj, aksiomë është se shtatëmbëdhjetë vjet përpara Normales së Elbasanit për të cilën në shumë tekste shkollore pa të drejtë thuhet se është shkolla e parë e mesme shqipe, i kishte hapur dyert Normalja e Bukureshtit tek u përgatitën mësuesit e parë shqiptarë.

Normalja e Elbasanit

Normalja e Elbasanit, e cila filloi punën më 1 dhjetor të vitit 1909, shënoi një arritje të madhe në fushën e arsimit shqip. Ajo u bë vatra më dritëdhënëse e arsimit dhe e edukimit të asaj kohe. Drejtor i parë i saj qe Luigj Gurakuqi. Në këtë shkollë dhanë mësim studiues dhe krijues të spikatur të shkencës së gjuhës e të letërsisë shqipe si p.sh.: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Qamil Guranjaku etj. Në të mësonin nxënës krahinash të ndryshme shqiptare , një numër i madh i të cilëve ishte nga Kosova, të dërguar në këtë shkollë me iniciativën e me përkrahjen e Hasan Prishtinës dhe të përkushtimit të tij të madh për të siguruar kuadër- mësimdhënës me qëllimin për të hapur shkolla në gjuhën shqipe edhe në Kosovë. Normalja e Elbasanit botonte edhe gazetën “Normalisti”.
Shkollat shqipe, në bashkërendim me shoqëritë kulturore, me gazetat e revistat brenda dhe jashtë Shqipërisë, gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, qenë gurrë e pashtershme e zgjimit dhe e thellimit të vetëdijes kombëtare dhe vatra ndriçuese e orientuese të veprimtarisë për të sendërtuar Shqipërinë e pavarur. Me gjithë masat ndëshkuese të pushtimit osman, të patrikanës greke dhe të qarqeve të tjera antishqiptare, të cilat shpesh përfundonin me vrasjet e mësuesve e të shkrimtarëve shqiptarë si p.sh.: Pandeli Sotiri, Pjetër Nin Luarasi, Papa Kristo Nrgovani, Luigj Gurakuqi, Shtjefën Gjeçovi etj., veprimtaritë arsimore, publicistike, kulturore e atdhetare etj. nuk u ndalën asnjëherë. Përkundrazi. Ato vazhduan të veprojnë duke u bërë edhe më masive dhe më jehuese; këto veprimtari zhvilluan e ndoqën misionin e madh kombëtar që ia kishin vënë vetes dhe ai ishte: trupëzimi i pavarësinë e Shqipërisë.

Therorë të shollës shqipes

Sikundër është shkruar e dëshmuar edhe me të dhëna statistikore në publikimet e ndryshme të vendit dhe madje edhe ndërkombëtare, politika antishqiptare e Beogradit zyrtar, në fillim të viteve të 90-ta, përqendroi dhunën veçanërisht mbi arsimin e Kosovës në gjuhën shqipe të të gjitha niveleve: filloi me helmimin e nxënësve dhe të mësimdhënësve, mbylli me dhunë policore objektet shkollore e universitare dhe i ruante me tanke për të mos hyrë nxënësit e studentët, ndaloi financimin, burgosi e vrau shumë arsimtarë e masa të tjera represive.

Ndonëse në rrethana të këtilla dhune, mësimdhënëset e mësimdhënësit shqiptarë, heroinat e heronjtë e kultivimit të dijes e të edukimit, nuk u ndalën së vepruari as në gjendjen e jashtëzakonshme të rrethimit policor: të mbështetur edhe nga populli, vazhduan zhvillimin e mësimit në shtëpitë private në bashkërendim me qytetarët dhe kudo qenë të mirëpritur. Edhe pse të ndjekur e të burgosu ngar pushteti policor serb, arsimtaret e arsimtarët, të organizuar në asociacionin Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, qenë të parët që braktisën dokumentacionin administrativ të mëparshëm dhe futën në përdorim dëftesat e nxënësve me vulën e Republikës së Kosovës. Ky veprim qe përcaktim i prerë i arsimtareve dhe i arsimtarëve, i dëshmoreve dhe i dëshmorëve të dijes për pavarësimin e shkollës shqipe nga diktati i politikës serbe. Njëherës qe pararendje e përgatitjes morale e strategjike që lufta paqësore e penës të kalonte në luftën e armës; shumë arsimtare e arsimtarë kapën pushkën dhe u bënë bashkë me astritët e UÇK-së në luftën për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Shteti i diktaturës autarkike serbe nuk arriti dot ta asgjësonte këtë veprimtari të shenjtë të diturisë dhe këtë përcaktim të patrandur të shqiptarëve për Kosovën shtet të pavarur. Jo. Assesi. Përkundrazi. Rezistenca sa vinte e ngrihej lart edhe pse pati viktima të mësuesve shqiptarë – therorë të shkollës shqipe që u vranë nga policia serbe si p.sh.: Fazli Greiçevci, Haki Pavata, Feriz Blakçori, Halit Geci e shumë të tjerë, të cilët prore do të mbesin ndër shëmbëlltyrat më të ndritura kombëtare. Dhe jo vetëm kaq.

Viktima të shkollës shqipe janë edhe veprimtarët e lëvizjes kombëtare të viteve të 90 -ta që u vunë në mbrojtjen e kësaj vatre diturore siç ishte rasti i tre dëshmorëve të Uçës së Istogut: Muharrem Hyseni, Hasan Hysenaj dhe Bajram Hoxhaj, të cilët, derisa po kërkonin hapjen e shkollave që i kishte mbyllur regjimi komunist i Beogradit, u vranë nga policia serbe më 31 janar të vitit 1992.

Të ngrihet cilësia arsimore dhe edukative

Sipas testit ndërkombëtar të cilësisë- Pisa dhe të instancave të tjera të jashtme e të brendshme që e ndjekin ecurinë e cilësisë së mësimit, dihet se arsimi i Kosovës është radhitur në shkallë të ulët. Prandaj, shtrohet si detyrë e ngutshme e institucioneve kompetente që të bëjnë hapa konkretë rreth ngritjes së cilësisë në arsim. Një nga masat efektive do të ishte p.sh. themelimi i shërbimit profesional –didaktik në nivelin e komunave nga ekspertët me përvojë të arsimit. Shërbimet e këtilla, që funksionojnë në shumë shtete të Perëndimit, do të zhvillonin bashkërendim të ngushtë me mësimdhënësit me qëllim që të ngrihet cilësia e arsimit dhe e edukimit. Në Zvicër p. sh. këshilltarët pedagogjikë marrin pjesë edhe në orët e mësimit për të parë në praktikë zhvillimin e ecurisë metodike të njësisë mësimore, përgatitjen profesionale e didaktike të arsimtares ose të arsimtarit, interesimin e angazhimin e nxënësve etj. Këshilltari, më pas, bën konsultime me mësimdhënësen – mësimdhënësin dhe shkruan vlerësimin me shkrim me sugjerimet profesionale e metodologjike të strategjive të reja të mësimdhënies moderne.
Në Kosovë nuk ndiqet kjo strategji shumë efektive e veprimtarisë arsimore. Mbikëqyrja nga drejtori i shkollës, që praktikohet në shumë shkolla të vendit, nuk është profesionale. Këshilltarët pedagogjikë janë profesionalisht kompetentë për ngritjen e cilësisë. Nuk është e thënë të ketë këshilltarë të këtillë për të gjitha lëndët, por, sidomos për gjuhën shqipe dhe për matematikë, është domosdoshmëri!
Thënia e Mithat Frashërit, në fillim të këtij shkrimi, është porosi e madhe me domethënie të përhershme. E vërtetë e padiskutueshme. Prandaj, duhet të ndërtohet themeli i diturisë. Ai themel, pa asnjë dyshim, është gjuha shqipe. Themeli i fortë, ndërtesa e sigurt sado që të ngrihet lart. Për ta mësuar mirë gjuhën amtare, duhet të zhvillohet edukimi gjuhësor që nga niveli parashkollor e në vijimësi më tej. Sepse, pikërisht nga lënda Gjuhë e letërsi shqipe rezultati i testit ishte nën nivelin e duhur.
Vlen të mbahet përherë parasysh mendimi i filozofit italian të gjuhës, Benedeto Kroçe: “Quaj njeri atë që është zot i gjuhës amtare!”

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për nder të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, në Shkollën…