70 euro subvencion për familjet e Prishtinës për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka zbuluar se kanë hapur thirrjen për subvencionim me 70 euro të familjeve të Prishtinës për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private.
“Kjo është një metodë e re dhe alternative që të rrisim përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve të Prishtinës në edukim të hershëm, që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa. Pra, secila familje e Prishtinës, që ka fëmijë të moshës nga 9 muaj deri në 6 vjeç dhe ka të hyrat familjare nën 500 euro, do të përfitojë 70 euro për të regjistruar fëmijën e tyre në cilëndo çerdhe private të licencuar të Prishtinës”, ka thënë Musmurati në një konferencë për media.
Drejtoresha e Arsimit ka thënë se përfshirja në çerdhe dhe edukimi i hershëm sjellin benefite afatgjate në zhvillimin pozitiv të fëmijës, tanimë është vërtetuar shkencërisht.
“Arsimimi dhe edukimi transformojnë jetët e fëmijëve dhe thyejnë ciklin e varfërisë me të cilin ballafaqohen shumë fëmijë dhe 6 vitet e para të jetës janë vendimtare. Fëmijët mësojnë më shumë gjatë gjashtë viteve të para të jetës se sa në çdo moment tjetër të jetës së tyre”, ka thënë ajo.