70 mijë teste anti-Covid në ditë, ja si vijon beteja në Fshatin Olimpik
Organizatorët e Lojërave Olimpike dimërore “Pekin 2022” kanë bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar vetëm 6 raste të reja me Covid-19.
Të gjitha rastet janë evidentuar në Fshatin Olimpik. Kjo e ka çuar në mbi 500 numrin e rasteve të personave të infektuar që nga 4 janari.
Duket qartë se numri i infektimeve me koronavirus është ulur ndjeshëm krahasuar me pak ditë më parë, kur regjistroheshin mbi 40 raste në ditë. Të gjithë personat e infektuar izolohen menjëherë në strukturat e posaçme jashtë Fshatit Olimpik.
Ndonëse në total në Kinë kanë mbërritur rreth 20 mijë persona (sportistë, trajnerë, stafe, gazetarë etj), në ditë zhvillohen 70 mijë teste anti-Covid. Sportistët testohen dy deri 3 herë në ditë, për të evituar çdo përhapje të infektimit. Askush nuk lejohet të largohet nga Fshati Olimpik, ndërkohë që eventet zhvillohen thuajse në salla të boshatisura dhe nën masa të rrepta anti-Covid.