700 persona marrin gjobë në Francë për shkak të ngacmimit në rrugë
Autoritetet franceze kanë lëshuar më shumë se 700 gjoba qëkur një ligj i ri për ngacmimet në rrugë hyri në fuqi vitin e shkuar. Sekretarja franceze për barazinë mes burrave dhe grave, Marlene Schiappa, e ka prezantuar përpjekjen në fjalë si pjesë të një ligji gjithëpërfshirës kundër dhunës seksuale në Francë.
“Ne i kemi toleruar ngacmimet në rrugë për shumë kohë. Tani nuk lejohet më t’i fyesh, kërcënosh, ndjekësh apo poshtërosh femrat në rrugë, në sistemin e transportit apo hapësirat publike. Gjobat do të vazhdojnë!”, ka shkruar ajo në një postim në “Twitter” në llogarinë e qeverisë franceze.
Ligji për ngacmimet seksuale mundëson gjoba nga 90 deri në 750 euro për sjellje të pahijshme, të turpshme, komente degraduese për pamjen fizike apo ndjekje të një personi në rrugë. Gjobat mund të shkojnë deri në 1500 euro për krime të përsëritura apo për shkelje në të cilat përfshihet një minoren/e nën moshën 15-vjeçare, për abuzim me pushtetin apo një varg rrethanash të tjera rënduese.
Ligji hyri në fuqi në gushtin e vitit të shkuar, pak javë pasi një studente 22-vjeçare u qëllua në fytyrë nga një burrë të cilin e kishte refuzuar, teksa ky i fundit po e ngacmonte. Incidenti i dhunshëm u fiksua nga kamerat e sigurisë dhe ndezi një valë zemërimi në shkallë kombëtare.