71 raste aktive me koronavirus në Prishtinë
Të premten në Prishtinë janë regjistruar 11 raste të reja me Covid-19. Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë Bujar Gashi thotë se në këtë komunë nga 24 maji janë paraqitur rreth 61 raste me coronavirus.
“Pra për dy javë kemi raste sa dy muajt paraprakë. Me këto infeksione të reja numri i rasteve aktive në Prishtinë shkon në 71”, ka thënë ai për RTV Dukagjinin.
Gashi thotë se këto raste janë të shtrira në 11 lagje që nënkupton pothuajse gjithë territorin e Prishtinës.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë thotë se është shqetësuese paraqitja e disa rasteve që nuk dihet se nga e kanë marrë virusin. Ai thotë se nga e hëna në Prishtinë janë testuar rreth 550 persona si të dyshuar për infeksion me COVID-19.
“Kemi rreth 130 raste që presim rezultatet për ditët në vazhdim”, deklaroi më tej Bujar Gashi.