71 vjet burgim ndaj pesë personave të akuzuar për vrasje
Me 71 vjet burgim janë dënuar pesë persona të cilët janë të akuzuar për vrasje.
Këtë vendim e ka marrë Gjykata Themelore e Gjilanit ndaj B.I, F.I dhe S.I, I.I dhe I.I (2).
Ata akuzohen se më 2 maj 2019, në fshatin Sadovinë e Qerkezëve në Viti, e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I, për motive pronësore.
“Fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit, ku i ndjeri me familjarët e tij dalin që të bisedojnë me të akuzuarit për të arritur një marrëveshje, por të akuzuarit refuzojnë dhe më pas vazhdojnë me fyerje, duke eskaluar situata në konflikt fizik dhe me mjete të forta mprehëse si drunj dhe shufra metalike e godasin tani të ndjerin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, ku fillimisht i akuzuari S. I. e godet në pjesën e pasme të kokës, pas tij edhe i akuzuari F. I. godet pas kokës dhe në fund edhe i akuzuari B. I., godet 2-3 herë në këtë mënyrë”, ka njoftuar Gjykata Themelore e Gjilanit.
Me këto veprime, B.I, F.I dhe S.I kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, duke u dënuar kështu me nga 21 vjet secili.
Kurse I.I dhe I.I (2), janë dënuar me nga katër vjet burgim veç e veç për “lëndim i lehtë trupor”. Këtë dënim ata do ta vuajnë pasi që vendimi do të bëhet i plotfuqishëm.
“Gjykata ka nxjerrë aktvendim, ndaj të akuzuarve B. I., S. I. dhe F. I., të cilëve u vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Të akuzuarve I. I. dhe I. I.(2), është ndërprerë masa e paraburgimit”, ka njoftuar gjykata.