7140 vizitorë gjatë shtatorit në Muzeun Ikonografik “Onufri”
Vazhdon fluksi i vizitorëve në Muzeun Ikonografik Onufri në Berat. Vetëm në javën e fundit pati 2415 vizitorë, nga të cilët të dielën pati 380 vizitorë, duke e çuar në 7140 numrin e tyre për këtë muaj.
Muzeu Kombëtar “Onufri” në Berat është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qenë katedralja e qytetit, e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas Bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë.
Ikonabartësin e katedrales së Beratit e ka gdhendur mjeshtër Naumi nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Mirasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX./ata