72-vjetori i NATO-s, Haradinaj: Fuqinë e Aleancës Veriatlantike e përjetoi edhe populli i Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar 72-vjetorin e themelimit të NATO-s.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se fuqinë e NATO-s e ka përjetuar edhe populli i Kosovës.
“Aleanca Veriatlantike NATO, po shënon 72-vjetorin e themelimit sot. Kjo Aleancë, mbrojti lirinë, demokracinë, paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Evropë e Amerikë Veriore, por në tërë globin. Fuqinë e drejtësisë së kësaj Aleance të madhe, e përjetoi edhe populli i Kosovës, në momentet më vendimtare të historisë së tij për çlirim, për çka jemi mirënjohës përgjithmonë”.
“Sot, si Republikë e Kosovës, ne jemi kontribuues me Ushtrinë tonë, në misione ndërkombëtare paqeruajtëse të kësaj Aleance. Si popull i lirë me orientim të natyrshëm euro-atlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e barabartë e aleancës së shteteve të NATO-s. Të gatshëm për kontributin tonë në mbrojtjen kolektive!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.