Ferizaj kthen në pronësi 334 hektarë truall pas vendimit të Qeverisë
Komuna e Ferizajt, përkatësisht kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të hënën ka pranuar vendimin e Qeverisë që kësaj komune t’i kthehen pronat e menaxhuara deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në pronësi komunale në një sipërfaqe të përgjithshme prej 334 hektarë e 41 ari e 46m2.
Ky vendim vjen pas kërkesës së parashtruar nga i pari i Ferizajt, Agim Aliu që Ferizaj t’i kthehen pronat e menaxhuara deri më tani nga AKP-ja në prona komunale, me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe aplikimit të projekteve të ndryshme zhvillimore për Ferizajn gjithmonë në interesin publik.
“Ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjegjësisht Kryeministrit Haradinaj, pasuron jashtëzakonisht shumë Komunën e Ferizajt, e cila ndër vite është ballafaquar me mungesë të trojeve në të cilat do të mund të shtriheshin investime të ndryshme publike dhe projekte me impakt rritjen ekonomike lokale. Përfundimisht, me kaq hapësirë të madhe të kthyer në pronësi komunale, Ferizaj përfundimisht zgjidh problemin me mungesat e deritanishme të parcelave dhe krijon mundësinë e një planifikimi afatgjatë të projekteve, nismave dhe investimeve publike në këto hapësira”, është thënë në njoftimin për media të zyrës për informim të kësaj komune.
/Epoka e re/