75 për qind e të hyrave të Postës së Kosovës shpenzohen për paga
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare 2019 për Postën e Kosovës.
Arta Bajralia, deputete e Vetëvendosjes gjendjen financiare në Postë e cilësoi jo të mirë.
“Ndërmarrjet publike në përgjithësi si edhe Posta kanë një gjendje jo të mirë financiare. Gjendja jo e mirë ka ardhur për shkak të joseriozitetit si dhe keqmenaxhimit të aseteve të Postës. Edhe në vitin 2018 dhe 2019 Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se pasqyrat financiare nuk paraqesin pamje të vërtetë të gjendjes financiare të Postës. Përveç që Posta nuk mbulon shpenzimet e veta ndërmarrja është thelluar edhe në borxhe të tjera. Nga 1022 punëtorë sa ka Posta, mbi 9 milionë euro shkojnë për paga, që do të thotë se 75 për qind e të hyrave shpenzohen vetëm për paga”, tha ajo.
Ajo shtoi se sipas të gjeturave të Auditorit, zyrtarë që punojnë në Postën e Mitrovicës janë nënshkruar në listat e vijueshmërisë kur e kanë përfunduar orarin por vetëm në fillim të punës.
“Gjithashtu, 11 drejtorë në Zyrën Qendrore të Kompanisë nuk ishin nënshkruar në listat e vijueshmërisë fare ose janë nënshkruar vetëm në fillim të punës, ka shtuar ajo tutje.
“Mosvijueshmëria e rregullt e rrit rrezikun për mosangazhim të plotë që do të thotë se ndikon në mos arritjen e objektivave të Kompanisë. Pyetja është për Kryesuesin e Bordit të Postës Leonard Shabanaj se çfarë kriteri keni përdorur kur e keni vënë z. Xhevdet Smakiqi ushtrues detyre i kryeshefit të Postës?”, pyeti ajo.
Xhevdet Smakiqi, ud i kryeshefit të postës, iu përgjigj duke thënë se aty punohet edhe të shtunave.
“Unë jam moti në menaxhmet te pronat ia kemi shpjeguar edhe ZKA-së vetëm 9 prej tyre kemi mujt me i definu edhe na i ka njoftë komuna sepse shumica e tyre janë nga vitet 70’. 58 raste na kanë refuzuar, 29 raste i kemi të uzurpuara nga Posta Serbe. Ne kemi bërë padi për komunat që na kanë refuzuar. Sa i përket mungesës së nënshkrimeve Drejtorët dhe Bordi nuk kanë orar ne mblidhemi edhe pas punës edhe të shtunave, ata kanë qenë në funksion, janë nënshkruar kur kanë ardhur por kur kanë dalë ndoshta e kanë lënë si në asgjë por ne kemi nxjerrë një vendim për tu nënshkruar”, shtoi ai.Në anën tjetër, Besa Gaxheri nga LDK-ja, tha se gjendja është më keq sesa që është paraqitur në raportin e auditimit.
“Gjendja është vërtetë shqetësuese është fat i keq që kjo kompani është degraduar dhe nuk kanë hyrë në funksion resurset e saja. Posta të hyrat i ka nga qeraja e Telekomit sepse objekti është i Postës pra ato prona në përgjithësi dhe posta ka funksionu me këto të hyra ndër të tjera dhe ne e dijmë që edhe Telekomi është në gjendje të rëndë. A keni bërë ndonjë plan për të dalë nga kjo krizë. Me sa kam parë Qeveria i ka ofruar 700 mijë euro për ti paguar borxhet dhe ato para janë shfrytëzuar diku tjetër kjo është jashtë normales. Aty ka punëtorë më shumë se që duhet, a realisht njerëz që kryejnë punë nuk ka dhe kjo është e papranueshme. Ashtu siç ka pasur ndërhyrje politika në Postë duhet me u ulë seriozisht në mënyrë transparente mi qit problemet përpara edhe me marrë përgjegjësi përndryshe unë e shoh Telekomin dhe Postën shumë shpejt të bankrotuar”, u shpreh Gaxherri.