75 vjet pas Aushvitcit: A kanë hebrenjtë të ardhme në Europë?
Nga DW/
75 vjet pas çlirimit të kampit të Aushvitcit, jeta e hebrenjve në Europë ndodhet para sfidave të reja. Por ne jemi këtu për të qëndruar e duam të ndërtojmë së bashku të ardhmen, thotë kryerabini Pinchas Goldschmidt.
Deportimi i hebrenjve të Körmendit, Hungari për në Aushvitc, 19 qershor 1944. Fotoja e ofruar nga Muzeu Gjerman i Historisë, Berlin
75 vite kanë kaluar, që kur stërgjyshërit e mi, Jacob dhe Mariam Schwartz u dërguan me vagonë kafshësh nga Hungaria në Aushvitc-Birkenau. Në një ditë vere në maj 1944, të uritur dhe të friksësuar, të ndotur pas një udhëtimi tre ditor, ata u çuan në dhomat e gazit dhe pastaj në krematorë. Mes 400.000 hebrenjve që u vranë në Aushvitc ndodheshin edhe shumë afërt të nënës sime, burra, gra, fëmijë. Më pak se një vit më vonë kampi i përqëndrimit u çlirua nga Ushtria e Kuqe, por u gjetën vetëm pak të mbijetuar. Gati të gjithë të burgosurit u vranë, në dhoma gazi, apo ndërruan jetë nga sëmundjet apo marshimet e vdekjes.
Plaga e Holokaustit
Për mua si drejtues i komunitetit hebraik këto nuk janë vetëm fakte historike. Njerëzit përreth meje, ata që falen në sinagogë, mblidhen për të festuar Bar Mitzwan apo për cëremoninë e varrimit të një familjari, janë të afërm të njerëzve si Jacobi dhe Mariami. Bashkësia hebreje europiane sot mban vulën e Holokaustit. Në fundin e Luftës së Dytë Botërore një pjesë e madhe e të mbijetuarve të Holokaustit ishin të mendimit, se në Europë nuk ka të ardhme për hebrenjtë. Shumica emigroi në Palestinë, për të qenë pjesë e shtetit të ri hebre, ku hebrenjtë ishin të mirëseardhur. Të tjerë emigruan në Amerikë. Vetëm një pakicë qëndroi në Europë e vendosur në besimin, se mund të ndërtohet sërish jeta hebreje në Europë.
Gati një gjysmë shekulli Europa ishte e ndarë mes Lindjes e Perëndimit, një Perde e Hekurt ndante kontinentin dhe hebrenjtë. Në shumicën e vendeve perëndimore u rigjallërua jeta e hebrenjve. Në Lindje, vetëm në Rumani pati një komunitet ekzistent hebraik, falë aftësisë së rabinit Moses Rosen, që bëri një pakt me regjimin komunist duke i siguruar komunitetit të tij lirinë e fesë dhe lëvizjes.
Bashkimi Europian – një bashkim pakicash
Në një kohë që vendimi për të qëndruar në Europë ishte një vendim individual, i përcaktuar nga rrethanat personale, shumë hebrenj shpresonin për një të ardhme më të mirë në Europë. Strukturat e reja dhe vlerat, që u zhvilluan në kontinent premtonin një të ardhme pa luftë, pa pogroma dhe antisemitizëm. Bashkimi Europian i sotëm u krijua si union ekonomik me qëllimin kryesor t’i jepte fund luftërave të vazhdueshme dhe konkurrencës mes fuqive të mëdha. Bashkimi Europian, kështu e ka thënë njëherë presidenti i tij, Romano Prodi, është një bashkim pakicash. kjo ia ka mundësuar hebrenjve në Europë të jenë pjesë e procesit të integrimit, jo si të jashtëm, por si qytetarë të barasvlershëm të Europës.
Realiteti i sotëm tregon, se projekti europian nuk i ka arritur të gjitha qëllimet. Sot përballemi më shumë se kurrë me antisemitizmin. Prej 15 vjetësh terrorizmi godet herë pas here Europën, dhe veçanërisht hebrenjtë europianë: shumë nga atentatet e vogla në vende të ndryshme europiane kalojnë gati pa u vënë re. Ndërkohë antisemitizmi është po forcohet gjithnjë e më shumë në tre fronte – tek e djathta esktreme, e majta esktreme dhe tek fundamentalizmi fetar.
Mbetet Europa një vend për të gjithë?
Që nga kjo kohë, për fat të keq hebrenjtë duhet të shtrojnë gjithnjë e më shpesh pyetjen, nëse për ta ka të ardhme në kontinentin europian. Vetëm disa vite pas atentateve të para ndaj objekteve hebraike, atëherë kur terroristët islamistë me sulmin vrasës ndaj Charlie Hebdo në Paris dhe një salle koncertesh në Paris vunë në shënjestër vlerat europiane, kulturën e gazetarinë, Europa reagoi.
Strukturat e sigurisë filluan të koordinojnë veprimet, për të sjellë më shumë siguri në rrugët e Europës. Disa shtete europiane reaguan përtej kësaj me ligje kundër pakicave fetare. Nga kjo u prekën edhe disa praktika bazike hebraike si therja rituale e kafshëve apo rrethprerja, gjë që solli sërish pikëpyetje të reja për hebrenjtë.
Ne jemi të gjithë të një mendimi, Europa duhet të jetë sërish një vend i sigurtë. Ky nuk është problem vetëm për hebrenjtë, ai është problem edhe për vetë Europën. Por e ardhmja e jetës së hebrenjve varet nga ajo, nëse Europa do të jetë në gjendje të garantojë sigurinë dhe të forcojë identitetin e përbashkët, që edhe më tej të jetë një vend për të Gjithë njerëzit, pavarësisht se çfarë besojnë nuk besojnë ata.
Prej më shumë se 1700 vitesh komuniteti hebraik është pjesë integrale e historisë europiane dhe Europa ka përfituar nga kjo. Detyra jonë është e qartë: Ne duam të ndërtojmë së bashku të ardhmen. Sepse jemi këtu për të qëndruar. E shpresojmë që të mundemi të qëndrojmë.
Pinchas Goldschmidt është nga viti 2011 president i Konferencës Europiane të Rabinëve, (CER).