751 raste të dhunës në familje për tetë muaj
751 raste të dhunës në familje janë raportuar në periudhën janar- korrik të këtij viti. Rastet e dhunës në familje, ndodhin pothuajse çdo ditë. Në raportin ditor të policisë, raportohen rastet e dhunës në familje.
KALLXO.com ka kërkuar statistika nga ana e Policisë së Kosovës në lidhje me numrin e rasteve të paraqitura në polici për dhunë në familje.
Sipas Zyrës për Informim të Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, vetëm muajin korrik janë raportuar 123 raste të dhunës në familje në të gjithë Kosovën.
“Në periudhën gjashte mujore janar-qershor 2018 janë evidentuar 628 raste. Ndërsa ne muajin korrik janë raportuara 123 raste te dhunës ne familje ne tere Kosovën”, thuhet në përgjigjen e PK-së drejtuar KALLXO.com.
Krahasuar me numrin e raporteve gjatë vitit të kaluar, numri i rasteve të evidentuara në Polici për dhunën në familje kanë qenë 1 mijë e 269.
“Bazuar në autorizimet dhe kompetencat që ka Policia e Kosovës në kuadër të fushëveprimit të saj një rëndësi të veçantë i kushtojnë edhe trajtimit të dhunës në familje si në aspektin parandalues po ashtu edhe trajtimit aktiv të rasteve që raportohen”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Tutje policia ka thënë se në kuadër të Policisë së Kosovës si në nivelin qendror edhe në nivel lokal ( drejtori rajonale apo stacione policore) ekzistojnë zyrtarë policor të trajnuar të cilët merrem vetëm me raste të dhunës në familje dhe hetimin e rasteve të tilla.
“Zyrtarët kompetent policor përveç aspektit parandalues, iu përgjigjen të gjitha rasteve të Dhunës Familjare të raportuara duke iu dhënë prioritet këtyre rasteve dhe veprimet kryesore që ndërmarrën përveç ofrimit të ndihmës ndaj viktimave, përfshijnë edhe bashkëpunimin me subjektet tjera siç janë: Njësia për Mbrojtje dhe Përkrahje të Viktimave, Qendrat për Punë Sociale (QPS), Qendrat Mjekësore, Shoqata të ndryshme jo qeveritare që ofrojnë strehim etj”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Po ashtu policia ka thënë se arrestimi i personave të dyshuar në raste të tilla të dhunës familjare bëhet çdo herë kur ka baza ligjore ne konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent, dhe njëkohësisht punohet në mbledhjen e fakteve dhe dëshmive lidhur me veprën penale në mënyrë që i dyshuari ta marrë dënimin e merituar nga autoritetet vendimmarrëse të drejtësisë, respektivisht gjykatat.