76 për qind e qytetarëve besojnë se ekstremizmi i dhunshëm paraqet kërcënim për Kosovën
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin e radhës në kuadër të Barometrit të Sigurisë të Ballkanit Perëndimor (BSBP), në të cilin përmblidhen perceptimet e qytetarëve për ekstremizmin e dhunshëm dhe riintegrimin dhe rehabilitimin e të kthyerve nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.
Ky raport përbëhet nga dy pjesë.
Pjesa e parë ofron një pasqyrë të rezultateve të perceptimeve të publikut në Kosovë në lidhje me kërcënimet që rrjedhin nga forma të ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm, kurse pjesa e dytë fokusohet në perceptimet e qytetarëve në lidhje me riintegrimin dhe rehabilitimin e qytetarëve të Kosovës të riatdhesuar nga Siria, si dhe në gatishmërinë e tyre për t’i pranuar këta të fundit në komunitetet e tyre përkatëse.
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta perceptojnë ekstremizmin e dhunshëm si kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Shumica (76 për qind) e të anketuarve të BSBP-së besojnë se ekstremizmi i dhunshëm paraqet kërcënim të lartë ose kërcënim për Kosovën.
Sa për format e ekstremizmit të dhunshëm, qytetarët e Kosovës e shohin dhunën në baza etnike/kombëtare si më kërcënuesen, me 42 për qind të të anketuarve që mendojnë se ajo paraqet kërcënim të lartë për sigurinë e Kosovës.
Dhuna në baza politike perceptohet si kërcënim i lartë për sigurinë e Kosovës nga 38 për qind e të anketuarve të BSBP-së, ndërsa dhuna në baza fetare perceptohet si kërcënim nga 34 për qind e të anketuarve.
Kosova, si shtetet e tjera evropiane, është përballur me sfida sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në konfliktet e huaja. Të dhënat e BSBP-së tregojnë se 37 për qind e të anketuarve i shohin qytetarët që janë kthyer në Kosovë nga zonat e luftës në Siri dhe Irak si kërcënim për vendin.
Përkundër sfidave, është e rëndësishme të theksohet se të dhënat e BSBP-së tregojnë se kosovarët e mbështetin punën e Qeverisë së Kosovës për riatdhesimin e qytetarëve nga Siria.
Kështu, 65 për qind e të anketuarve e mbështetin riatdhesimin e të gjithë qytetarëve që janë ende në Siri, ndërsa 15 për qind mendojnë se duhet të riatdhesohen vetëm gratë dhe fëmijët e mbetur. Qëndrimet pozitive vërehen në perceptimet e qytetarëve për qasjen që duhet të zbatohet ndaj atyre që kthehen nga zonat e konfliktit në Siri.
75 për qind e të anketuarve besojnë se qasja/masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në riintegrim, për dallim nga 11 për qind që besojnë se të kthyerit duhet t’u nënshtrohen masave ndëshkuese dhe shtatë për qind e të anketuarve që besojnë se nuk ka nevojë për ndonjë masë specifike.
Një rezultat mjaft shqetësues vërehet në lidhje me gatishmërinë e qytetarëve për t’i pranuar dhe mirëpritur sërish në komunitet fëmijët që janë kthyer nga Siria dhe Iraku.
Në këtë aspekt, shumica e të anketuarve (57 për qind) nuk do të lejonin që fëmijët e tyre të shoqëroheshin me fëmijët e riatdhesuar, pasi që besojnë se ata mund të kenë efekt negativ te fëmijët e tjerë. Nga ana tjetër, 35 për qind e të anketuarve nuk do ta kishin problem të lejonin që fëmijët e tyre të shoqëroheshin me fëmijët e kthyer.