77 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor thonë se marrëdhëniet në rajon janë më të mira se një vjet më parë
“Muajt e fundit, që nga takimi ynë i tetorit, kanë qenë të vështirë me shpërthimin e valëve dhe varianteve të reja të virusit Covid-19 pasi po i kthejnë gjërat përmbys me një spirale zbritëse. Sa i takon bashkëpunimit rajonal, lajmi i mirë ishte suksesi i Samitit të Sofjes të Procesit të Berlinit dhe miratimi i Deklaratës për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili nuk është i panjohur nga qytetarët pasi 77 për qind e tyre pajtohen se marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor janë më të mira se një vjet më parë, dhe kjo është një rritje e madhe krahasuar me shifrën 46 për qind të vitit të kaluar”, ka thënë Majlinda Bregu, sekretareshë e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në hapjen e takimit të 42-të të Bordit të RCC-së, shkruan “Epoka e re”.
Ajo ka thënë se vënia në zbatim e CRM-së dhe arritja e rezultateve për Samitin e Berlinit janë përparësia jonë kryesore. “RCC-ja ka punuar me partnerët për ta përcaktuar dhe formësuar agjendën dhe do të përkushtohet maksimalisht për të koordinuar dhe monitoruar përparimin e politikave të çdo fushe. Qëllimi ynë është të arrijmë një zonë rajonale sa i takon tregtisë, investimeve, digjitalizimit, industrisë dhe inovacionit duke u mbështetur në suksesin e parimit të katër lirive të BE-së”, ka thënë Bregu.
Ajo i ka prezantuar bordit raportin mbi aktivitetet e Sekretariatit të RCC-së në periudhën tetor 2020-shkurt 2021, i cili u aprovua dhe ndau informacione mbi aktivitetet më të rëndësishme të Sekretariatit për periudhën në vijim.