Demaliaj: Në bazë të ligjit nuk ka fryrje të listave të veteranëve

26 gusht 2018 | 15:03

Ish-anëtari i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit, Shkumbin Demaliaj, ka bërë me dije se në bazë të ligjit dhe dokumentacionit të ofruar, numri prej 60 mijë veteranëve të UÇK-së është i saktë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se nuk ka fryrje të listave meqë, sipas tij, pjesë e listës së veteranëve janë veteranët luftëtarë, veteranët invalidë dhe të internuarit e luftës. Demaliaj ka theksuar se prej 60 mijë veteranëve vetëm 37 mijë prej tyre marrin pensione. Sipas tij, nuk ka veteran të rrejshëm dhe meritor, por ka vetëm veteran.

Në këtë kontekst, Demaliaj e ka quajtur banale shifrën prej 19 mijë veteranëve të rrejshëm. Ai i ka bërë thirrje prokurorisë ta kryejë punën e vet dhe ta çojë deri në fund hetimin e listave të veteranëve. Por, sipas Demaliajt, është e papranueshme që kujt t’i teket të flasë dhe ta ofendojë luftën e UÇK-së

“Epoka e re”: Z. Demaliaj, ditët e fundit ka nisur një debat rreth numrit të veteranëve të UÇK-së. Është i saktë numri prej 60 mijë veteranëve të luftës së UÇK-së?
Demaliaj: Si ish-anëtar i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit pretendoj se ky numër është i saktë në bazë të ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe në bazë të dokumentacionit që ish-luftëtarët e UÇK-së kanë ofruar në sekretarinë e Komisionit.

“Epoka e re”: Sipas jush, s’ka fryrje të listave?
Demaliaj: Në bazë të ligjit, nuk ka fryrje të listave, përkundrazi është numër shumë i vogël në raport me ata që kanë aplikuar. Ky ligj luftën e UÇK-së e parasheh si luftë vullnetare, do të thotë UÇK-ja ka bërë luftë vullnetare dhe në bazë të këtij vullneti është ky numër. Nëse në të ardhmen ligji ndryshon, luftën e bën të obligueshme dhe e përcakton kohëzgjatjen e njerëzve në luftë dhe është krejt diçka tjetër. Meqenëse ligji aktual luftën e parasheh vullnetare, të gjithë ata njerëz që kanë marrë pjesë në luftë jo vazhdimisht, për shkak se kemi pasur lëvizje të mëdha të ushtarëve në zona të ndryshme, këtu flas për Zonën e Dukagjinit, me këtë ligj të gjithë janë veteranë.

“Epoka e re”: Por nga një hetim i prokurorisë rezultojë 19 mijë veteranë janë të rrejshëm.
Demaliaj: Nuk flas për këto hetime. Ish-prokurori i kësaj lënde ka gabuar që ka nxjerrë në publik hetimet duke i dhënë mundësi gjithkujt të flasë për këtë çështje. Dokumentacioni është në prokurori, në qeveri dhe në duart e komandantëve. Madje kam bërë kërkesë që krejt puna e Komisionit, transkriptimet dhe procesverbalet të bëhen publike, dhe jo kujt t’i teket të flasë çfarëdo.

“Epoka e re”: Edhe drejtuesit e UÇK-së po thonë se ka fryrje të listave. Madje ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ka thënë se pas luftës janë identifikuar rreth 13 mijë ushtarë.
Demaliaj: Pas luftës janë mbledhur disa shifra të ushtarëve që kanë kaluar në TMK. Për atë numër flet Selimi. Si komision kemi kërkuar të na vijë dokumentacioni i arkivit të UÇK-së dhe TMK-së, por kanë thënë se dokumentacioni është lagur dhe nuk mund të nxirret diçka prej tij. Nuk kemi pasur dokumentacion as nga shoqatat e dala nga lufta. Pra, si komision kemi punuar në bazë të aplikacioneve që i kanë ofruar ish-luftëtarët.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh se keni shërbyer në Zonën Operative të Dukagjinit dhe e njihni atë pjesë, a ka persona që e kanë marrë statusin e veteranit pa meritë, për arsye të ndryshme dhe vota?
Demaliaj: Sa i përket Zonës së Dukagjinit, e di se ka edhe shumë njerëz që e meritojnë të jenë pjesë e listave në bazë të ligjit ekzistues, por nuk kanë aplikuar të gjithë kontribuuesit e luftës. Zona e Dukagjinit vetëm në qershorin e vitit 1998 i ka pasur mbi 17 mijë njerëz. Pra, kanë qenë mbi 17 mijë pushkë në Zonën e Dukagjinit që kanë hyrë nga Shqipëria. Ka pasur lëvizje të ushtarëve dhe Brigada 131, Brigada 133 dhe Brigada 134 e Ministrisë së Mbrojtjes, të udhëhequra nga Rrustem Berisha dhe Tahir Zemaj, e kanë lëshuar luftën në shtator të vitit 1998. Nëse ata njerëz që kanë luftuar për gjashtë muaj dhe janë tërhequr me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes nuk duhet të jenë veteranë, atëherë për këtë lë të flasin përfaqësuesit e tyre, lë të flasin përfaqësuesit e LDK-së që po kanë dëshirë t’i japin konotacion tjetër kësaj lëvizje. Nëse mendohet se ata nuk meritojnë të jenë pjesë e këtyre listave, edhe unë jam i gatshëm që lista të minimizohet. Ata janë njerëz që kanë marrë pjesë pesë ose gjashtë muaj në luftë dhe thuhet se janë tërhequr me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. Nëse konsiderohet se duhet të minimizohet lista në këtë mënyrë, atëherë është gabim i madh, sepse ushtarët e UÇK-së nuk duhet të dallohen me pjesëmarrje në luftë.

“Epoka e re”: Sa është numri i saktë i veteranëve të Zonës së Dukagjinit?
Demaliaj: Nuk jam i sigurt për numrin sepse si komision nuk kemi njësuar numra, por kjo është publike dhe mund ta gjeni në sekretarinë e komisionit për secilën brigadë për komandën e zonës. Vetëm në përfundim të luftës kanë qenë tetë brigada dhe komanda e zonës në Zonën e Dukagjinit me të gjitha njësitë e tjera varëse. E di krejt bota sa ushtarë kanë qenë e lëre më Kosova, mirëpo po bëhet politikë me këta njerëz. Veteranët nuk janë pjesë e votës, sepse veteranët janë të të gjitha partive politike. Me këtë po pretendohet të pengohen proceset politike dhe puna e Qeverisë Haradinaj. Verifikimi i veteranëve nuk ka ndodhur në kohën e Qeverisë Haradinaj, por në Qeverinë Thaçi – Mustafa. Materiali është në prokurori dhe prokuroria duhet t’i ndjekë hetimet deri në fund.

“Epoka e re”: Ka qenë i panevojshëm hetimi i listave?
Demaliaj: Nuk përzihem në punët e prokurorisë. Nëse edhe për një rast të vetëm konsiderohet se ka pasur shkelje duhet të trajtohet nga prokuroria, por nuk mund të bëhet as hetim e as kurrgjë kur njerëzit nuk janë të gatshëm ta kryejnë detyrën e vet. E jo të dalin të krijojnë këso maskaradash në opinionin publik. Që dy javë askush nuk është ka merret me çështjet e tjera përpos me diçka që ka ndodhur 20 vjet më herët. Kjo duhet të jetë temë e prokurorisë, e gjyqësisë dhe njerëzve përgjegjës dhe jo kujt t’i teket ta ofendojë UÇK-në, vlerën më të madhe kombëtare që ka pasur Kosova ndonjëherë.

“Epoka e re”: Do të pranonit çfarëdo procesi të hetimit?
Demaliaj: Kam qenë i intervistuar nga ish-prokurori Blakaj. Jam i gatshëm sërish të intervistohem apo të hetohem për këtë çështje për shkak se bashkë me anëtarët e tjerë të komisionit e kam kryer punën në bazë të ligjit në fuqi. Këta po harrojnë dhe askush nuk po e përmend se të gjithë të internuarit e luftës dhe ata që kanë qenë të burgosur nga Serbia në vitet 1998-1999 janë në listat e veteranëve. Askush nuk po e trajton problemin në bazë të ligjit.

“Epoka e re”: Ligji qenka fajtor për rritjen e numrit të veteranëve?
Demaliaj: Ligji nuk është fajtor, sepse atë e ka bërë Kuvendi. 17 vjet nuk ka pasur ligj, ndërkaq brenda një viti janë bërë dy ligje. Ligji i dytë ka hyrë në fuqi, por për shkak se prokuroria ka bërë hetim lidhur me këtë çështje, nuk ka mundur të zbatohet. Ka pasur të bëjë me çështjet financiare lidhur me pensionin për disa pjesëtarë që kanë marrë pjesë deri në përfundim të luftës të kenë një pension deri 170 euro, ndërkaq të tjerëve që e kanë ndërprerë luftën më herët të kenë një pension 120 euro, por në këtë rast prokuroria ka ndërhyrë dhe e ka marrë materialin e arkivuar të kësaj liste në qeveri, dhe nuk ka mundur të zbatohet pjesa e plotësimndryshimit të ligjit të miratuar nga Kuvendi më 30 dhjetor të 2016-s. Sa i përket punës së komisionit, jam i gatshëm të ballafaqohem me çfarëdo drejtësie personalisht lidhur me Zonën e Dukagjinit dhe për secilin aplikant veç e veç, sepse atë status ua ka ofruar ligji. Po flasim për 60 mijë njerëz, por e dimë se 37 mijë marrin pensione, mirëpo janë 4-5 kategori të veteranëve në ato lista dhe që një pjesë e tyre nuk ka të drejtë në pension. Janë veteranët luftëtarë, veteranët pjesëtarë, veteranët pjesëmarrës, veteranët e internuar të luftës dhe veteranët invalidë të luftës. Kur krejt futen në një thes, të gjithë këta janë veteranë dhe askush nuk mund t’ua mohojë këtë të drejtë.

“Epoka e re”: Me zhvillimet e fundit, a po degradohet lufta e UÇK-së?
Demaliaj: Asnjë milimetër nuk mund të degradohet lufta e UÇK-së. Secili ushtar që ka pasur pushkën në dorë e di se nuk mund ta degradojë askush kontributin e tij për çlirimin e vendit. Ndërkaq të gjithë ata që dalin dhe flasin le ta dinë se UÇK-në nuk mund ta thyejë askush, sepse është e vetmja emblemë që e ka bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. E dimë se që nga themelimi i UÇK-së ka pasur zëra të politikës së atëhershme se UÇK-ja nuk ekziston, e më vonë kanë thënë se UÇK-ja është dorë e zgjatur e Serbisë. Por mekanizmin që ka bashkëpunuar vazhdimisht me Serbinë e pengon kjo gjeneratë e artë që ka ndikuar që bashkë me aleatët ta çlirojnë dhe ta bëjnë Kosovën shtet.

“Epoka e re”: Z. Demaliaj, si është e mundur të vihet deri tek e vërteta dhe listat t’i përmbajnë vetëm veteranët e vërtetë?
Demaliaj: Të lutem, nuk ka dy të vërteta, është vetëm një e vërtetë. Aplikacionet janë bërë sipas ligjit dhe dokumentacioni është në sirtarët e qeverisë dhe prokurorisë dhe nuk ka dy të vërteta mbi ato dokumente. Secilin veç e veç le ta shpalosin dhe le ta bëjnë publik, por mos ta kryqëzojnë askënd lidhur me këtë temë për shkak se po ndihemi të ofenduar vazhdimisht para familjes, njerëzve dhe para opinionit sikur ka ndodhur një shkelje e madhe. Janë banale ato shifra që po thuhen për veteranë të rrejshëm. Është turpi më i madh t’i thuhet dikujt veteran i rrejshëm. Nëse dikush është në listë, por nuk ka qenë në luftë, ai është kriminel, sepse ka fituar një status pa të drejtë ligjore dhe pa kontribut. Ndërkaq veteranët janë veteranë. Nuk ka veteran të rrejshëm dhe veteran meritor.

“Epoka e re”: Në lista ka kësi ‘kriminelë’, siç po i quani ju?
Demaliaj: Nuk e di. Ne kemi shqyrtuar dokumentacion. Nëse dikush ka ofruar dokumentacion të rrejshëm dhe ka fituar statusin pa të drejtë le të hetohet. Si komision nuk kemi pasur t’i bëjmë gjyq askujt. Secili e gëzon statusin pasi që aplikacioni i tij është verifikuar dhe ka qenë i nënshkruar nga zinxhiri komandues. Është e padrejtë të spekulohet me javë të tëra lidhur me diçka të ngjashme. Nëse duan ta ndryshojnë ligjin, kjo mund të bëhet në të ardhmen, por ka për të qenë e komplikuar. Nëse një luftëtar hiqet për shkak se ka pasur kohëzgjatje më pak se të tjerët është turp.

“Epoka e re”: Si e keni parë paralajmërimin se këtyre 19 mijë veteranëve të rrejshëm mund t’u ndërpritet pensioni?
Demaliaj: Është detyrë e prokurorisë dhe gjyqësisë t’i bëjë hetimet, kurse sa i përket punës sime në komision, jam i gatshëm të paraqitem para çfarëdo drejtësie, para qytetarëve dhe para ligjit mbi bazën e të cilit kemi punuar.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti i Iranit ka votuar për të shkarkuar ministrin për…