Thaçi pret në takim ambasadorin Kyle Scott: Miqësia me ShBA-në, e përjetshme
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ambasadorin amerikan, Greg Delawie, si dhe ambasadorin Kyle Scott, i cili është shef i misionit diplomatik amerikan në Beograd.
Thaçi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se në këtë takim kanë biseduar për tema të ndryshme të interesit të përbashkët.
“Ambasadorëve amerikanë u rikonfirmova gatishmërinë e Republikës së Kosovës për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne biseduam edhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje finale, e cila duhet të përmbyllet me njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Republika e Kosovës është mirënjohëse për mbështetjen e përhershme amerikane, por edhe për pozicionin e qartë pro arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përkrahja amerikane ka qenë përcaktuese në jetësimin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Askush nuk duhet ta vë në pikëpyetje rolin dhe miqësinë e përjetshme me ShBA-në”, ka shkruar presidenti Thaçi.
/Epoka e re/