8 arsyet pse Xavi do të mbetet në stolin e Barcelonës

24 prill 2024 | 11:55

Të gjithë tifozët e Barcelonës presin që e ardhmja e Xavit të zgjidhet menjëherë dhe përfundimisht.

Edhe pse në janar dukej se ish-mesfushori e kishte shumë të qartë se stadi i tij si trajner “culé” do të zgjaste deri në qershor, situata aktuale e ka bërë katalanasin të mendojë, për herë të parë, të tërhiqet nga vendosmëria e tij.

Prej javësh, institucioni përmes deklaratave të Laporta, Yuste dhe Deco ka shprehur dëshirën që Xavi të vazhdojë. “MARCA” shpjegon arsyet pse klubi zgjedh të vazhdojë me trajnerin nga Terrassa.

ADN-ja e Barçës – Nëse ka një tipar që e karakterizon Xavi, është identiteti i tij. I shpallur një “culé” që kur lindi, trajneri katalanas është i rrënjosur thellë në filozofinë e institucionit. Në fakt është sinonim i ADN-së së Barçës.

Opsion ekonomikisht i përballueshëm – Arka e Barçës është ende shumë e stresuar dhe kjo do të thotë se opsionet që do t’i përshtateshin më mirë stolit të “Camp Nou” janë shumë të komplikuara, ose, e thënë më drejtpërdrejt, të papërballueshme. Opsioni i Rafa Márquez ishte në diskutim, por konsiderohet alternativë e rrezikshme.

Vazhdimësia e projektit – Nëse Xavi vazhdon ta drejtojë ekipin, kjo do t’i japë stabilitet edhe projektit sportiv. Ai erdhi në pankinën blaugrana në nëntor 2021 dhe, për rrjedhojë, ka përfunduar vetëm dy sezone të plota. “Shpresoj që projekti i tij të jetë i gjatë, sikurse kemi diskutuar në fillim, jo të ndërpritet ​​në mes. Barça duhej të rindërtohej me njerëz që e njohin klubin. Xavi është një trajner që ka dëshmuar aftësi për ta rindërtuar ekipin tonë”, – siguroi pak muaj më parë Deco.

Kimi me tifozët – Xavi është një legjendë e Barcelonës. Atë ndjesinë që e kishte si lojtar me fansat katalanas, tani e ruan edhe në pankinë. Trajneri i kupton dhe ndan në mënyrë të përsosur kërkesat e popullit “culé”.

“Bast” i suksesshëm për të rinjtë – Pa dyshim, trajneri katalanas nuk heziton kur vjen puna për t’iu dhënë mundësi, apo kërkuar zgjidhje te lojtarët vendas. Fermín, Lamine Yamal dhe Pau Cubarsí, ndër të tjerë, janë bërë pjesë të rëndësishme të kësaj Barcelone. Përveç Héctor Fort, Astralaga, Marc Guiu, Casadó…, të cilët zakonisht thirren në ekipin e parë. Ndaj, për shkak të mungesës së burimeve financiare, Xavi e ka gjetur zgjidhjen te “La Masia”.

Të vetëdijshëm për situatën reale të klubit – Trajneri katalanas e njeh Barcelonën dhe realitetin financiar në të cilin jeton i zhytur. Në merkatot e fundit, atyre iu është dashur të kënaqen me lojtarë me kosto zero, në huazim ose me një tarifë shumë të ulët transferimi, siç ishte rasti me Oriol Romeu. Xavi e di se edhe këtë verë, pak ose asgjë mund të ndryshojë në këtë drejtim, transmeton telesport.al

Reagimi i veteranëve pas njoftimit të tij – Gündogan, Lewandowski, Sergi Roberto…, lojtarët më të rëndësishëm në dhomat e zhveshjes reaguan shpejt kur Xavi njoftoi në janar se do të largohej nga Barcelona në qershor. Gjermani, për shembull, kujtoi se nënshkroi me klubin blaugrana për shkak të pranisë së Xavit, ndërsa polaku theksoi se për katalanasit Barça ishte më shumë se një klub.

Dy tituj – Pavarësisht kufizimeve financiare të klubit, Xavi ka fituar dy tituj në dy sezonet e gjysmë që ka drejtuar skuadrën. Në sezonin 2022-2023, ai fitoi titullin e La Liga-s dhe Superkupën e Spanjës. Këtë sezon ka mbetur bosh, por ka bërë një hap përpara në Champions League. Pas dy sezonesh rënieje në “Europa League”, skuadra e drejtuar prej tij ka arritur deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një burrë ka raportuar se është sulmuar me tullë në…