8 futbollistë kuqezi, pa skuadër dhe të ardhme
Shqipëria do ta sfidojë Francën më shtatë tetor në transfertë, mirëpo kur është ende kulmi i merkatos së transferimeve, për fat të keq, ka një sërë futbollistësh që nuk janë sistemuar ende.
Disa prej tyre kanë skuadër dhe janë të shumëkërkuar nga trajnerët, ndërkohë që të tjerë janë jashtë planeve. Ka gjithashtu edhe futbollistë pa një skuadër dhe të lirë. Për të nisur nga mbrojtja drejt sulmit, rezultojnë të paktën tetë lojtarë pretendentë për të qenë në listën e radhës të trajnerit Eduardo Reja, për të mos thënë edhe në planet e tij për formacionin titullar. Elseid Hysaj është nën kontratë me Napolin dhe për të ka shumë interesime që të largohet, por presidenti De Laurentis është një prej atyre që e ka bllokuar largimin, duke kërkuar jo më pak se 25 milionë euro për kartonin e shqiptarit. Dy mbrojtësit kuqezinj, Arlind Ajeti dhe Ivan Balliu, janë futbollistë të lirë në merkato.
I pari ende pa një pistë reale transferimi, ndërkohë që i dyti është duke vlerësuar ofertat që ka nga Spanja. Frederik Veseli së fundmi refuzoi Turqinë, teksa Empoli e ka nxjerrë jashtë planeve dhe kërkon ta largojë. Sokol Cikalleshi, i cili në grumbullimin e fundit të Kombëtares tregoi se ishte në superformë, për momentin po kalon një shqetësim muskulor. Jo vetëm kaq, por sulmuesi është duke vlerësuar ofertat nga elita turke dhe jo vetëm, duke qenë se nuk ka dëshirë që të pranojë të luajë në Ligën e Dytë, me gjithë kërkesën nga trajneri i skuadrës.
Eros Grezda raportohet sërish me interesime nga Franca, teksa Stiven Gerrard nuk e ka në plane te Rangersi. Kristal Abazaj është një tjetër shqiptar me sytë nga merkato, pasi i ka përfunduar huazimi në Kroaci dhe duket jashtë planeve të Anderlehtit. Armando Sadiku është gjithashtu në kërkim të një destinacioni, teksa trajneri i Levantes nuk e ka në plane.