8 Marsi, edhe një ditë bilanci
Nga Mimoza Kelmendi
Tashmë kjo ditë është kthyer në një traditë të gjatë në shumë vende të botës si Dita Ndërkombëtare e Grave. Diku protestojnë, diku festojnë e diku heshtin dhe vuajnë, por gjithsesi ato janë sot më shumë se kurrë në vëmendjen e të gjithëve.
Këtë radhë gratë gjermane festojnë 100-vjetorin e realizimit të një prej kërkesave të tyre themelore: Të drejtën për të votuar. Gjermania është ndër vendet e para që iu bashkëngjit protestave të grave nëpër rrugë më 19 Mars 1911 në SHBA, Danimarkë, Suedi, Austro-Hungari dhe Zvicër me kërkesën për barazi. Vetëm në Gjermani demonstruan për të drejtat e tyre më shumë se një milion gra nën udhëheqjen e Clara Zetkin dhe Rosa Luxemburg. Ato e dinin se vetëm bashkë mund te arrinin diçka në politikë. Ishte nëntori i vitit 1918 kur Këshilli i përfaqësuesve të popullit do të miratonte pikërisht ligjin që i jepte për herë të parë grave në Gjermani të drejtën për të votuar dhe për të kandiduar në zgjedhje.
Sukseset e arritura në këto 100 vjet i bëjnë gratë gjermane edhe më të guximshme për të përballuar me sukses sfidat aktuale. Sot Bundestagu gjerman nuk është më aq shumë maskulist. Tashmë 1/3 e deputetëve janë gra. Edhe fakti që prej 12 vjetësh kemi një Kancelare grua në krye të vendit, apo disa gra në krye të ministrive apo qeverive të landeve, tregon më së miri se ku ka arritur gruaja gjermane sot.
Por ndërkohë që në bashkëvendosjen politike gratë në Gjermani janë gati në të njëjtin nivel me burrat, tjetër situatë kemi në jetën profesionale ku raporti është i zymtë: Vetëm tre për qind e grave gjenden në krye të koncerneve të mëdha. Në krahasimin ndërkombëtar Gjermania është fare qartë ndër vendet e fundit. SHBA, Britania e Madhe dhe Suedia tregojnë, se bëhet edhe ndryshe. Në listimet, ku janë renditur 50 gratë në pozicionet më të larta drejtuese, ndodhen 15 amerikane dhe një gjermane.
E megjithatë është vërtetë serioze nëse mendojmë që 8 marsi 2018 është dita, në të cilën shumica e grave gjermane janë shumë më mirë nga miliona të tjera në anë të ndryshme të globit. P.sh. nëse këtu diskutohet problemi i harmonizimit të familjes dhe punës, në Indi çdo vit vriten prej prindërve të tyre mbi 10.000 vajza të porsalindura, sepse familja nuk është në gjendje t´u paguajë atyre pajën. Ndërsa në mbarë botën rreth 130 milionë vajza nuk shkojnë në shkollë.
Në Perandorinë aziatikojugore, Bhutan çdo familje ka të drejtë të japë vetëm një votë, ndërsa në Brunei gratë nuk kanë të drejtë të votojnë. Në Liban kanë të drejtë vote vetëm gratë që kanë një nivel të caktuar arsimi, ndërsa ne Arabinë Saudite më në fund gratë mund të ngasin vetë makinën apo të shkojnë në stadium. Si një vit më parë, edhe këtë vit (2018) bilanci është i njëjtë lidhur me diskriminimin që u bëhet grave të çdo moshe, të çdo ngjyre, feje apo profesioni në mbarë botën. Në media rregullisht raportohet për fakte rrëqethëse të këtij fenomeni. Nga ana tjetër Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për rrezikun e lartë që po shkakton dhuna ndaj grave. Shumë gra bien viktima të dhunës në familje, të ushtruar nga partnerët e tyre. Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Sipas zyrtarëve që merren me mbrojtjen e grave, 90 për qind e viktimave të dhunës në familje janë femrat kosovare. Ndërkohë që në Shqipëri pozicionimi i gruas në politikë është përmirësuar dukshëm, mbetet shqetësuese dhuna që ushtrohet vazhdimisht ndaj saj. Vetëm në 2017 pati 10 gra të vrara si pasojë e dhunës në familje.
Një studim i ri i Organizatës tregon sa akute janë në të vërtetë problemet në botë: një në tre gra është keqtrajtuar një herë nga partneri i saj. Sipas studimit në rajonet me të ardhura mesatare të larta, ndër të cilat Amerika e Veriut, Evropa, Australia dhe Japonia, rreth një e katërta e grave kanë qenë viktima të dhunës fizike ose seksuale nga partnerët e tyre. Në Azinë Jugore dhe Afrikë, shpesh ato nuk guxojnë të tregojnë se kush është shkaku i plagëve të tyre. Vetëm në Gjermani 35% e grave kanë përjetuar dhunë seksuale ose fizike. Në 28 vendet e BE-së bëhet fjalë mesatarisht për 33% të prekura.
Nëpër shkolla e universitete gratë e reja me arritjet e tyre prej kohësh i kanë lënë pas burrat. Por ç’vlerë ka shkollimi më i mirë, kur pjesë të shoqërisë ende kanë mbetur të ngurta duke u kapur pas imazhit të roleve të vjetra? Kush e ka seriozisht me çështjen e gruas, duhet të veprojë, të jetë konseguent dhe të ketë durim derisa barazia të rrënjoset në kokat e njerëzve, e më pas do të duhen edhe të tjera dekada që ajo të bëhet realitet. Hapat konkretë të çojnë drejt qëllimit. Kërkesa: pagë e barabartë për punë të barabartë është një shembull i mirë për këtë.
Ndërkohë BE po shton vazhdimisht trysninë ndaj kompanive për pjesëmarrje më të lartë të grave në pozicione drejtuese. Një projekt-direktivë e Komisionit parashikon një pjesëmarrje prej 40% të grave në bordet mbikëqyrëse deri në 2020.