8. Metodologjia nuk është formalitet, por tregues se si do të bëhet shkencë
Hajdin Abazi
PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (5)
(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vite lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)
Të artikulohet metodologjia nuk është tepër e vështirë e aspak nuk është e pamundur. Përkundrazi, mund të bëhet nga secili studiues, por që të bëhet – paraprakisht kërkohet të jesh i ndërgjegjshëm se si duhet bërë shkencë.
Lypset që vetë studiuesi të jetë i bindur dhe ta ketë kuptuar drejt rëndësinë shkencore që ka metodologjia, jo vetëm si pjesë që duhet shkruar diku në një nënkapitull në “hyrje”, por, mbi të gjitha,që të zbatohet në mënyrë konsekuente përgjatë tërë studimit. Kur kjo të bëhet, atëherë është kuptuar mënyra bashkëkohore e bërjes shkencë. Në këtë aspekt, nuk ka studim të mirëfilltë shkencor pa një metodologji të shtruar qartë, të përcaktuar saktësisht dhe që është ndjekur për të realizuar studimin.
Kam bindjen e mbështetur, në përvojën time por edhe në disa studime të tjera, se me pak përkushtim mund të formulohet në mënyrë korrekte metodologjia dhe të zbatohet pastaj në studime. Nuk them se është e lehtë, sikurse që nuk është e lehtë të bësh shkencë, por them se, me punë e ushtrime, është arritshme. E për këtë, nevojitet insistimi i mentorëve si udhëheqës shkencorë, por edhe shpjegimi i qartë prej tyre se si mund të bëhet kjo. Shpesh metodologjia përcaktohet shumë qartë në projekte hulumtimi, gjë që është tregues se edhe në punimet studimore (temë masteri, temë doktorate apo monografi) është po aq e mundur.
- Përgjatë tërë studimit duhet ndjekur me konsekuencë metodologjia
Përcaktimi i qartë i metodologjisë duhet të jetë ashtu që të kihet parasysh përgjatë tërë studimit, domethënë studimi të udhëhiqet prej fillimit deri te përfundimi sipas metodologjisë së përcaktuar, për të qenë konsekuent në qasje.
Gabimet e rëndomta janë dy llojesh.
Në njërën anë metodat dhe teknikat e përmendura në “hyrje” zakonisht harrohen dhe nuk përdoren. Gjetjet dhe rezultatet shpesh ndodhë të arrihen në mënyrë të paqartë.
Në anën tjetër, metodologjia, përkatësisht përshkrimi se si do të përdoren metodat dhe se si konkretisht do të bëhet realizimi i punimit, zakonisht harrohet dhe ka jo konsekuencë e shmangie nga ajo përgjatë realizimit të studimit dhe nxjerrjes së përfundimeve.
Ndodhë e njëjta gjë si me objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat: harrohet metodologjia. Pikërisht kjo “harresë” shpërfaq atë se si perceptohet realizimi i një punimi studimor: nuk ka rëndësi se çfarë thua për metodologjinë, konkretisht për metodat dhe se si këto do të përdoren në realizimin e studimit, thjesht vazhdo, shkruaj, mbush faqe, disa kapituj, mbërrij në “përmbyllje” dhe jep ca “rekomandime” dhe – puna u krye. Po, puna u krye, por si?
Një metodolog i mirëfilltë do të mund të gjente aq shumë shkarje, s’përputhje, shpërfillje, veprime krejt në kundërshtim me atë që është përcaktuar si metodologji sepse nuk është zbatuar ajo gjatë studimit. Domethënë, mbetet e paqartë se ku përdoret njëra metodë e ku tjetra apo se si përdoren ato.
Diçka e këtillë mund t’i shkojë një shkrimi me karakter jo shkencor, por jo një studimi që pretendon dhe pohon se është shkencor.
- Transparenca metodologjike e bën shkencën të hapur e publike
Metodologjia, pra, duhet të jetë dhe është një standard themelor për realizimin e studimit, që duhet të kihet vazhdimisht parasysh, të kihet në mendje dhe të zbatohet në secilin hap të studimit.
Ajo të tregon se si do të bëhet studimi, dhe në të njëjtën kohë edhe shërben si kontrollues se a është bërë ashtu studimi apo jo. Kjo domethënë se përgjatë realizimit të studimit, metodologjia mund të ndryshojë, të kalibrohet, të korrektohet, përplotësohet ashtu që të harmonizohet me natyrën e studimit. Kur formulohet metodologjia, në fazat deri te përpunimi final, përcakton ravijëzimin themelor por gjatë studimit mund të shfaqen (në fakt të hetohen me vonesë) edhe nevoja të tjera (për shembull, ndonjë metodë, ndonjë teknikë, ndonjë instrument etj.) e që duhet të inkorporohen, të ndërthuren dhe të plotësohen.
Kur të realizohet studimi dhe të paraqitet në fazën finale, i gatshëm për publikim apo mbrojtje, atëherë metodologjia duhet të jetë e plotë, dhe të tregojë se studimi njëmend është realizuar ashtu sikurse është pohuar se do të realizohet, dhe se duke ndjekur atë metodologji është mbërritur rezultati i studimit.
Pikërisht metodologjia, domethënë artikulimi i qartë i metodave dhe se si janë përdorë ato, me ndjekjen në mënyrë konsekuente e bënë shkencën transparente në arritjen e rezultateve, në një mënyrë të tillë që kushdo që është i interesuar mundet ta kontrollojë korrektësinë e arritjeve të studimit duke ndjekur të njëjtën metodologji. Me fjalë të tjera, shkenca e tregon saktë, kuptueshëm dhe qartë, pra me cilat metoda dhe se si, mënyrën e realizimit të studimit.
Krejt në fund, duhet të ngulitet mirë në mendje se vetëm metodologjia është ajo që shkencën e bënë të hapur, publike, transparente dhe me rezultate që mund të kontrollohen. Kjo tregon rolin dhe rëndësinë e metodologjisë për një punim studimor që pretendon të jetë shkencor. Sugjerimi është se punimet studimore me karakter shkencor duhet t’i kushtojnë vëmendjen, përkushtimin dhe shqyrtimin e duhur aspektit metodologjik, raportin e tij me qëllimin, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat. Duhet shtuar vazhdimisht kërkesat, por edhe të rritet ndërgjegjësimi mbi atë se nuk mund të bëhet shkencë mirëfilli pa kushtimin e vëmendjes së duhur për metodologjinë. Arritja e standardeve bashkëkohore të shkencës sa i përket metodologjisë duhet të vihet si një synim i universiteteve, ashtu që të nxitet ngritja e nivelit të bërjes shkencë dhe transparencës së plotë të rezultateve të arritura.
III. DESKRIPTIVIZMI LËNDON KARAKTERIN STUDIMOR
Një problem tjetër, shumë serioz, është ai që ka të bëjë me mënyrën se si realizohen shumica e punimeve të ndryshme. Ka jo pak aspekte jo të duhura që lidhen me mënyrën e realizimit të punimeve, por këtu do të theksohet njëra që është e pranishme gjithandej dhe që thuaja është shndërruar në një patologji studimore. Kjo është mënyra deskriptive (përshkruese) e punimeve, për të cilën do të parashtroj ca mendime në vazhdim.
- Deskriptivizmi, qasja përshkruese
Shumë punime studimore po qe se lexohen me vëmendja dhe po qe se kërkohet t’u vihet një emërues i përbashkët atëherë ai do të mund të ishte – deskriptivizëm. Një qasje e cila karakterizohet kryesisht si përshkruese.
Deskriptivizmi është një teknikë e cila përdoret thuaja në çdo studim, dhe është pjesë përbërëse e domosdoshme. Kjo, natyrisht, është e vërtetë dhe praktika e ka treguar si përdorim të dobishëm.
Përdorimi i këtillë, gjithsesi, nuk ka asgjë të keqe; madje është e kundërta, është mjaft ndihmues dhe, po qe se përdoret me korrektësi dhe në vendin e duhur, i shërben mirë studimit.
Si i këtillë, deskriptivizmi nuk është aspak shqetësues. Madje, ai rekomandohet dhe është domosdoshmërisht pjesë përbërëse e çdo studimi. Këtu nuk është fjala për deskriptivizmin si teknikë që e sugjeron edhe qasja metodologjike për t’u përdorur në rastet kur kjo është e nevojshme. Është fjala për një përdorim përtej kësaj.
- Kur bëhet shqetësues deskriptivizmi?
Deskriptivizmi bëhet shqetësues, atëherë dhe vetëm atëherë kur ai bëhet dominues si qasje dhe si metodologji. Një punim i tërë, i shkruar kryesisht për tema të njohura dhe ku mbizotëron teknika përshkruese shndërrohet në një punim që e humb karakterin studimor.
Ky është rreziku që sjell me vete deskriptivizmi si qasje, po qe se përdoret përtej asaj që do të duhej, tejmasshëm pra, dhe duke e bërë dominuese në një punim që pretendon të jetë studimor dhe me karakter shkencor.
Ky është një teprim metodologjik, një ekskluzivitet, që kthehet pa dashje një patologji shkencore, që e zhvesh punimin nga karakteri i mirëfilltë studimor.
E pikërisht një qasje e këtillë, i dominuar nga fryma deskriptive, është ajo që e karakterizon një shumicë të punimeve studimore.
- Deskriptivizmi si qasje themelore vlen vetëm në raste të rralla
Deskriptivizmi si metodologji themelore e një studimi ka kuptim vetëm në raste të veçanta. Zakonisht kjo ka të bëjë me ndonjë prurje të panjohur nga më parë, dhe e cila ka nevojë të përshkruhet, ashtu që të ndihmojë të krijohet një vizion apo imazh për atë që bëhet fjalë.
Të këtilla mund të jenë temat e reja, të pa trajtuar ndonjëherë dhe që do të ishin risi. Në raste të këtilla, po, deskriptivizmi është qasja më e preferuar, sepse duke e përshkruar atë, në njërën anë depërtohet më thellë dhe shprishet mjegulla që e mbulon atë, dhe në anën tjetër lehtësohet krijimi i një perceptimi te të tjerët.
Kështu ndihmohet krijimi i përfytyrimeve se si mund të jetë, se si mund të duket dhe se si manifestohet diçka që më parë as që është ditur për të.
Studimet e kësaj natyre janë tepër të rralla, përgjithësisht në historinë e shkencës.
- Në temat e njohura pak vend ka për deskriptivizmin
Në punimet studimore që zakonisht realizohen nëpër universitetet tona nuk di se ka pasur ndonjë studim të këtillë tepër të veçantë, që të jetë e natyrshme dhe e pashmangshme qasja deskriptive, me qëllim që të bëhet e kuptueshme tema që shtjellohet.
Zakonisht në punime të këtilla trajtohen tema shumë të familjarizuara nga fusha të ndryshme, si politike, sociologjike, filozofike, etike, administrative, ekonomike, juridike etj. Përgjithësisht, temat e trajtuara janë të njohura, shpesh edhe të trajtuara më parë, ose për të cilat flitet edhe në opinionin publik.
Se trajtohen tema të këtilla, vetëm pse janë të njohura, nuk ka ndonjë të keqe. Mangësia e trajtimeve të tilla qëndron gjetiu, dhe pikërisht te qasja e tyre. Konkretisht te praktika që të përshkruhet ajo që, në fakt, është njohur. Deskriptivizmi i këtillë krijon stereotipa dhe e zbeh vlerën studimore deri në shpërfillje.
- Asgjë e re
E keqja e qasjes thuaja ekskluzive deskriptive është se punimin e lë në nivelin e një transmetuesi të asaj që gjetiu dhe kaherë është e përshkruar qartë. Duke qenë i kufizuar nga kjo qasje, punimi nuk ka se si të sjellë kreativitet, ide, mendime ose ndonjë aspekt me vlerë studimore.
Në shumicën e rasteve, përshkrimi në punim nuk është as në nivelin e ligjeve apo statuteve të ndryshme, ku përshkruhen qartë strukturat, hierarkia, funksioni dhe veprimi. Duke mbetur në nivel deskriptivizmi punimet e tilla, prej të cilave përfitohen tituj shkencorë, i ngjajnë një kompilimi të asaj që gjendet gjetiu, si në ndonjë ligj, akt administrativ, rregullore, kod, statut etj.
Gjatë leximit nuk ndjehet asgjë e re, e panjohur, e pa ditur, madje shpesh ka shumë mangësi edhe në atë që synohet të përmblidhet.
- Frenues i kreativitetit dhe risisë intelektuale
Duke lexuar pjesën e punimit që pason “hyrjen”, për shkak të qasjes deskriptive, thuaja asgjëkund nuk ndjehet prania e autorit. Ai flet në mënyrë pavetore, jo se nuk ka çka të thotë, por sepse qasja e bllokon dhe nuk i lë fushëveprim shprehjes së tij/ saj. Thjesht, ai/ ajo përfol ato që i kanë thënë/shkruar të tjerët. Asgjë të veten nuk thotë, ani se ka shumë për të thënë dhe që do të mund të thuhej.
Kjo duket disi absurde. Dhe këtë do të përpiqem ta sqarojë se përse.
Përderisa te studimet e rralla e tepër të veçanta, metodologjia deskriptive është shumë tërheqëse, gjithandej ndjehet tek flet autori/autorja, sepse ai/ajo përshkruan dhe shpjegon, tregon dhe shpreh ato që ai i ka parë me “syrin e mendjes” e që neve, lexuesve, na bën t’i shohim me syrin tonë optik. Në raste të tilla, deskriptivizmi është tërësisht kreativ dhe po aq inovative.
Por te studimet e këtilla sikurse bëhen zakonisht nëpër universitetet tona, si punime seminari, tema masteri e tema doktorate, duke mos qenë e duhur, qasja deskriptive shndërrohet në pengesë, në frenues dhe në mbytës të kreativitetit dhe inovativitetit intelektual, qoftë edhe në nivel minimal, që duhet të ketë një punim studimor. Gjatë leximit të një punimi të tillë, thuaja gjithçka është e njohur nga më parë dhe asgjë nuk është e tillë që të mos jetë ditur; madje shpesh ndjehet ngushtësia (reduktimi) e përshkrimit gjë që e bën punimin të lë shumë për të dëshiruar edhe në vetë deskriptivizmin e aplikuar. (Vijon)