8 vjetori i anëtarësimit në FIFA, Ademi: Të vendosur të sigurojmë të ardhme të ndritshme

13 maj 2024 | 12:32

Kosova para tetë vjetësh është bërë anëtarja e 210-të e FIFA-s. FFK-ja mori 141 vota për anëtarësim, nga 164 votat në Kongresin e 66-të të FIFA-s që u mbajt në Meksikë.

Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar me datën 3 maj 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s. Një rrugëtim plotë mund e sakrifica që gjithsesi hapi një faqe të re të historisë së futbollit të Kosovës.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka falënderuar ish-presidentet e Federatës dhe gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit.

“Pa vizionin, angazhimin, dashurinë e pasionin e secilit që ishte pjesë e futbollit prej dy dekadave e gjysmë izolimi, Kosova nuk do të kishte arritur këtë sukses. Në këtë datë të veçantë, falënderoj edhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe simpatinë që ka për vendin tonë. Tani, tetë vjet pas anëtarësimit, Kosova, falë mbështetjes së UEFA-s e FIFA-s, është transformuar në një histori suksesi”, ka shkruar Ademi.

Letra e plotë e Ademit:

Sot, tetë vjet më parë, Kosovës i janë hapur dyert e shtëpisë së madhe të futbollit botëror – FIFA. 13 maj 2016 është një datë tjetër e rëndësishme, e paharrueshme dhe historike, jo vetëm për komunitetin e futbollit, por edhe për shtetin e Kosovës.

Nuk mund të përshkruajmë rëndësinë e kësaj ngjarjeje pa përshëndetur punën dhe sakrificën e të gjithë atyre që kontribuuan në këtë rrugëtim. Duke filluar epoka e guximshme e mëvetësimit nën udhëheqjen e Agim Bytyqit, vazhduar me epokën e rezistencës dhe ekzistencës nën drejtimin e Rexhep Abdullahut e Sabri Hashanit, dhe me epokën e ndërkombëtarizimit nën udhëheqjen e legjendës Fadil Vokrri, çdo pjesëmarrës ka lënë gjurmët e tij dhe gëzon respekt.

Me këtë rast, dua të falënderoj gjeneratat e tëra të futbollistëve, e sidomos ata të periudhës së sakrificës, trajnerët, zyrtarët e federatës dhe klubeve, donatorët, si dhe të gjithë ata që kanë punuar pareshtur për të mbajtur gjallë futbollin dhe ëndrrën tonë të përbashkët.

Pa vizionin, angazhimin, dashurinë e pasionin e secilit që ishte pjesë e futbollit prej dy dekadave e gjysmë izolimi, Kosova nuk do të kishte arritur këtë sukses. Në këtë datë të veçantë, falënderoj edhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe simpatinë që ka për vendin tonë.

Tani, tetë vjet pas anëtarësimit, Kosova, falë mbështetjes së UEFA-s e FIFA-s, është transformuar në një histori suksesi.

Bashkërisht, kemi bërë përparime të mëdha në masovizimin dhe zhvillimin e futbollit si dhe kemi ndihmuar të rinjtë tanë të përfshihen në këtë sport.

Federata e Futbollit të Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më tej futbollin në vendin tonë. Me hartimin e strategjisë “Themelet e së ardhmes 2024-2028” dhe punën në përmirësimin e infrastrukturës bashkë me institucionet e vendit, jemi të vendosur të sigurojmë një të ardhme të ndritshme.

Në emër të KE të FFK-së, uroj të gjithë komunitetin e futbollit dhe qytetarët e Kosovës për këtë ditë të shënuar dhe jam i bindur se duke punuar së bashku do të ndërtojmë një futboll cilësor dhe një Kosovë më të fortë në arenën ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i…