82 për qind e investimeve kapitale të nivelit qendror, vazhdimësi e projekteve nga vitet e kaluara
Instituti GAP ka mbajtur konferencë për media të dielën, në të cilën ka prezantuar raportin me titull “Projektbuxheti 2019 – analizë e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore”.
Të gjeturat kryesore të analizës së buxhetit u prezantuan nga Agron Demi dhe Berat Thaqi.
Fillimisht, raporti argumenton se projektbuxheti i vitit 2019 paraqet në masë të madhe vazhdimësi të buxheteve nga vitet e kaluara. Kjo për arsye se ngjashëm me vitet e kaluara, gati gjysma e investimeve kapitale do të menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe shumica prej tyre do investohen në infrastrukturë rrugore.
Gjithashtu, 82 për qind e investimeve kapitale të nivelit qendror janë vazhdimësi e projekteve nga vitet e kaluara.
Të dhënat e ndarjes së investimeve kapitale nga Ministria e Infrastrukturës sugjerojnë se ka diskriminim të komunave të qeverisura nga disa parti të cilat nuk janë të përfshira në Qeverinë e Kosovës.
Raporti gjithashtu thekson se është rritur dukshëm financimi i buxhetit nga borxhi publik dhe të hyrat e AKP-së, ndërkohë që shpenzimet rrjedhëse, veçanërisht subvencionet dhe transferet dhe mallrat dhe shërbimet, janë rritur më shpejt së ato kapitale.
Si zhvillim pozitiv në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, dhe që përputhet edhe me rekomandimet e Komisioni Evropian (KE), është rritja e buxhetit për shëndetësi dhe disa institucione që merren me funksionimin e tregut.
Mirëpo, buxheti i Kosovës i ndarë për shëndetësi është ende i ulët krahasuar me shpenzimet relative në shtetet e Bashkimit Evropian (BE).
Gjithashtu, edhe rritja e buxhetit për Agjencinë për Punësim dhe numri i punëtorëve në Inspektoratin e Punës janë në përputhje me sugjerimet e KE-së për Kosovën. Edhe shpenzimet në arsim janë rritur dukshëm mirëpo ato ende mbesin nën nivelin e shpenzimeve relative të shteteve të BE-së.
Gjithashtu, për herë të parë është ndarë granti shtesë për kryeqytetin i cili do të ndikojë pozitivisht në rritjen e kapaciteteve buxhetore të Komunës së Prishtinës për adresim të problemeve të të gjithë banorëve që jetojnë apo kryejnë shërbime në kryeqytet.
Në anën tjetër, në mungesë të një ligji të ri për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ky institucion ka mbetur nën financimin e buxhetit të Kosovës edhe për vitin 2019.
Përveç subvencionimit të RTK-së, edhe kategoritë tjera të subvencioneve siç janë pensionet dhe kompenzimet janë rritur dukshëm, ndërsa me gjithë kontestimet për numrin e veteranëve të luftës, buxheti për këtë kategori është rritur tutje. Megjithatë, në rast se nuk do të ketë ulje të numrit të veteranëve, buxheti i ndarë për vitin 2019 do të jetë i pamjaftueshëm.
/Epoka e re/