82 të vrarë, qindra të plagosur dhe shumë pikëpyetje lidhur me sulmin terrorist, që tronditi Moskën
Bilanci i një masakre të vërtetë në një sallë koncertesh në Moskë pasqyron 82 të vrarë, me qindra të plagosur dhe me një situatë, e cila lë shumë pikëpyetje dhe çështje të hapura për diskutim.
Akti terrorist i mbrëmjes së 22 marsit në Crocus City Hall është marrë përsipër zyrtarisht nga ISIS, grupimi i militantëve islamistë, i cili jo pak herë ka kërcënuar dhe faktuar se është i aftë për ngjarje të tilla.
Janë katër ose pesë persona të përfshirë, të gjithë të trajnuar ushtarakisht nga sa kuptohet, me pajisje moderne armatimesh dhe me qëllim të vetëm vrasjen e kujtdo në rrezen e tyre.
Paralajmërimi amerikan kishte ardhur që prej 7 marsit ndaj rusëve: Kini kujdes, një sulm terrorist po përgatitet nga ISIS-i. Thirrjet e tyre ishin injoruar krejtësisht, madje edhe përçmuar nga presidenti i sapo-rizgjedhur rus, Vladimir Putin.
Hije akoma më të mëdha misteri hedh fakti se si të gjithë autorët, ende janë të pakapur. Madje, siç thonë vetë eksponentë të ISIS në media komunikimi si Telegram, ata kanë arritur të largohen shëndoshë e mirë nga vendi i ngjarjes.
Videot bënë xhiron e botës, jo pak herë të pacensuara.
Fëmijë, gra, vajza e djem të rinj të pakursyer nga sulmi terrorist. Akti mbeti i dënuar ndërkombëtarisht, por deri tani kaq.
Paramilitarët janë arritur të filmohen vetëm nga larg përmes videove, kanë mbyllur qendrën ku ndodheshin mbi 6 mijë persona njëkohësisht aty dhe kanë nisur breshërinë.
Forcat speciale ruse, ose shërbimet e inteligjencës, nuk kanë gjetur deri tani asgjë.
Më herët, Rusia hodhi edhe dyshime se ky mund të ishte një sulm ukrainas, por gjithçka u hodh menjëherë poshtë nga Mikhailo Podolyak, këshilltari kryesor i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Podolyak shkruan në reagim:
Para së gjithash, Ukraina ka luftuar me Ushtrinë ruse për më shumë se dy vjet. Dhe gjithçka në këtë luftë do të vendoset vetëm në fushën e betejës. Vetëm nga sasia e armëve dhe vendimet cilësore ushtarake. Sulmet terroriste nuk zgjidhin asnjë problem…
Së dyti, Ukraina nuk është përfshirë kurrë në përdorimin e metodave terroriste. Është gjithmonë e pakuptimtë. Ndryshe, meqë ra fjala, vetë Rusia, e cila përdor sulme terroriste në luftën aktuale kundër Ukrainës dhe më herët në historinë e saj sulmoi qytetarët e saj për të iniciuar “veprime kundër-terroriste” të mëvonshme kundër grupeve etnike protestuese. Mjafton të kujtojmë ngjarjet në autostradën Kashirskoye (Moskë) dhe në Volgodonsk…
Dhe së treti, shumë kohë përpara ngjarjeve në Crocus City Hall, kishim dëgjuar paralajmërime publike nga ambasadat e huaja të vendosura në Moskë për mundësinë e ekseseve të tilla të përgjakshme.
Si përfundim: nuk ka asnjë dyshim më të vogël se ngjarjet në periferi të Moskës do të kontribuojnë në një rritje të mprehtë të propagandës ushtarake, militarizimin e përshpejtuar, mobilizimin e zgjeruar dhe, në fund të fundit, shkallëzimin e luftës. Dhe gjithashtu për të justifikuar sulmet e dukshme gjenocidale kundër popullsisë civile të Ukrainës…
Aspekti më i çuditshëm i gjithë ndërkaq, mbetet fakti se Ambasada Amerikane në Moskë kishte lajmëruar një rrezik të mundshëm të një sulmi terrorist dy javë më parë. Por, e gjitha ishte anashkaluar nga presidenti rus, Vladimir Putin.