Vazhdon greva e një pjesë të stafit të shërbimit civil në kuadër të zyrës së kryeministrit
Një pjesë te stafit të shërbimit civil në kuadër të zyrës së kryeministrit është duke vazhduar grevën për shkak të pagave.
Njoftimi i plotë i Këshillit Grevist, i datës 4 shtator:
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 20.12.2017, mori vendim (Nr.04/20) për rritjen e pagave. Si rrjedhojë, nga ky vendim përveç stafit politik përfituan edhe një pjesë e stafit të shërbimit civil në kuadër të Zyrës së Kryeministrit konkretisht: Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit (një pjesë e stafit), Zyra Ligjore, Sekretariati Koordinues dhe Zyra për Informim në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Përderisa jashtë vendimit janë lënë zyrat përgjegjëse për hartimin e politikave strategjike, programeve, legjislacionit, planifikimit buxhetor, koordinimit, monitorimit, raportimit të zbatimit të këtyre politikave dhe integrimin e çështjeve në të dy nivelet qeverisëse përfshirë bashkëpunimin me shoqërinë civile.
Ndarja dhe përfshirja e një pjese të stafit të Zyrës së Kryeministrit në këtë vendim, ka krijuar pabarazi në mirë funksionimin e Zyrës së Kryeministrit, duke bërë që nëpunësit civil në kuadër të zyrave që janë pjesë e vendimit të kenë dallime substanciale në paga nga nëpunësit tjerë, përkundër faktit se ne legjislacionin aktual duhet te trajtohemi barabartë.
Stafi i shërbimit civil që nuk janë pjesë e vendimit për pagat (Nr.04/20) i datës 20.12.2017, që nga hyrja në fuqi e vendimit, e deri më sot, kanë kërkuar në vazhdimësi të drejtën ligjore për mundësi, trajtim të dinjitetshëm dhe të barabartë, me anë të formave/mjeteve zyrtare të komunikimit, adresuar te Kryeministri i Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e Kabinetit të Kryeministrit dhe Sekretari i Përgjithshëm në ZKM. Kërkesa jonë legjitime për trajtim të barabartë deri më tani nuk u shqyrtua.
Duke konsideruar që kemi shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike në dispozicion për komunikim të brendshëm institucional, fatkeqësisht nuk kemi arritur të kemi zgjidhje mbi kërkesën tonë, prandaj jemi detyruar që të drejtën tonë ligjore ta kërkojmë me anë të grevës.
Nga sot datë 04 shtator 2018, e martë, zyrtarisht jemi në grevë. Greva do të vazhdoj deri në realizimin e kërkesës tonë legjitime.
Faleminderit për mirëkuptimin!
Këshilli Grevist