Kryetari i PDK-së në Gjilan e akuzon pushtetin për korrupsion milionësh!
Kryetari i degës së PDK-së në komunën e Gjilanit, Riad Rashiti, ka akuzuar për korrupsion dhe zhvatje kryetarin e Gjilanit nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hysenin.
Ai përmes një postimi në Facebook ka përshkruar mënyrën se si kryetari po e zhvatë buxhetin e komunës duke i subvencionuar bizneset e familjarëve, asamblistëve e zyrtarëve të VV’së.
Postimi i plotë:
Si u keqpërdorën dhjetëra mijëra euro të buxhetit komunal 2023, për subvencionimin e bizneseve të familjarëve të VV-së në Gjilan?
Alban Hyseni po e zhvatë buxhetin e komunës duke subvencionuar bizneset e familjarëve të asambleistëve dhe zyrtarëve tjerë të VV-së në Gjilan. Kjo është qeverisja e “ndershme, racionale dhe për të mirën publike” që po e propagandon ky kryetar komune.
Për herë të parë në Gjilan, me propozimin e PDK-së Kuvendi Komunal në vitin 2023 miratoi ndarjen buxhetore prej 135 mijë euro për subvencionimin e bizneseve me pronare gra dhe për START UP bizneset për të rinjët e Gjilanit. Por asambleistët e VV-së e kishin pas votuar propozimin tonë, me qëllim të përfitimeve familjare e shoqërore.
Kryetari i komunës së Gjilanit Alban Hyseni formoi komisionin partiak të VV-së për ndarjen e subvencioneve, nënshkroi propozimet e komisionit për përfituesit të cilët janë në konflikt të interesit, si dhe ndau subvencione për të afërmit e VV-së.
Bizneset e familjarëve të asambleistëve të VV-së; V.B, A.M, A.U janë përfitues të subvencioneve të komunës, poashtu përfitues janë edhe bizneset e familjarëve të zyrtarëve tjerë komunal të VV-së që ishin anëtarë të komisionit E.R, D.K.M dhe A.H. Të gjithë këta kanë bërë veprime të konfliktit të interesit duke keqpërdorur pozitat e tyre si anëtarë të komisionit, ata ju kanë dhënë subvencione grave të tyre dhe familjarëve tjerë të tyre, duke përfituar dhjetëra mijëra euro nga buxheti i komunës së Gjilanit.
Kryetari i komunës Alban Hyseni duke ditur dallaveret e komisionit dhe keqpërdorimet e organizuara nga vet ai, në faqen e komunës kur ka bërë shpalljen e bizneseve përfituese, ka publikuar listën vetëm me numrin e protokollit, duke fshehur të dhënat dhe emrin e bizneseve përfituese dhe shumat e mjeteve financiare që u janë ndarë nga buxheti i komunës. Kjo tregon që përveç jo transparencës, kryetari i komunës ka tentuar të fshehë keqpërdorimet e tij dhe të komisionit që e ka formuar për këtë qëllim.
Përveç tjerash ka edhe shkelje tjera ligjore që janë bërë në këtë proces. Dhjetë biznese përfituese të subvencioneve janë regjistruar në ARBK pas përzgjedhjes dhe afatit-ditës së publikuar për nënshkrimin e kontratave për subvencionim me komunën e Gjilanit.
Disa prej bizneseve përfituese, janë nga disa herë brenda vitit përfituese të subvencioneve nga komuna e Gjilanit, gjë që është e papranueshme përderisa aplikues të shumtë nuk kanë rritur të jenë njëhere të vetme përfitues të subvencioneve.
Katër biznese përfituese, kanë adresën e njejtë të biznesit dhe që janë qiraxhinjë të një zyrtari të VV-së në Gjilan. Fatkeqësisht ka edhe shumë keqpërdorime tjera të cilat nuk kanë të ndalur nga zyrtarët e VV-së.
Për më shumë detaje, do të duhej të interesohej dhe veprojë sistemi i drejtësisë, për të hulumtuar dhe vërtetuar këto dyshime të faktuara në këtë proces, njësoj sikur edhe në secilin proces ku ka të bëjë me paratë e buxhetit të komunës.
Kryetari i komunës Alban Hyseni është udhërrëfyesi për secilin keqpërdorim dhe shkelje ligjore që po bëhet në qeverisjen e VV-së në Gjilan.