84 burra të dhunuar gjatë luftës janë paraqitur pranë institucioneve, kërkohet drejtësi dhe mosstigmatizim
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mbajtur konferencën ndërkombëtare “Modelet e dhunës seksuale gjatë luftës ndaj burrave dhe djemve”.
Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e QKRMT-së, ka thënë se kjo konferencë ka për qëllim që të zgjerojë dhe të thellojë të kuptuarit e dinamikës gjinore të luftës dhe dhunës seksuale gjatë saj, të shtojë njohuritë dhe të kuptuarit e përvojave të burrave të mbijetuar dhe të kontribuojë në kontekstualizimin dhe njohjen më të gjerë në komunitet, shoqëri dhe spektrin politik.
Më tutje, ajo ka cituar edhe një deklaratë të një burri të dhunuar gjatë luftës, për të cilin ka thënë se ai ende ballafaqohet me të kaluarën e tij të tmerrshme.
Ndërsa Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se secili që ka përjetuar çfarëdo dhunë gjatë luftës është i barabartë, duke bërë thirrje që të dhunuarit seksualisht gjatë luftës të mos stigmatizohen.
Ajo ka thënë se ka shumë për të bërë që ky aspekt të ndryshohet brenda shoqërisë në Kosovë.
“Krimet që i kemi përjetuar gjatë luftës janë të barabarta në kuptimin që nuk mundet që një person që ka qenë i plagosur të shihet si një hero, e një i dhunuar të stigmatizohet”, ka thënë Bogujevci.
Në anën tjetër, Melanie J.H.Scarlett, shefe e ekipit për politikë të jashtme në ambasadën britanike në Kosovë, ka thënë se shumica e burrave të dhunuar në Kosovë deri më tani nuk e kanë marr guximin që të tregojnë historinë e tyre. Sipas saj, vetëm 84 burra deri më tani të dhunuar seksualisht gjatë luftës janë paraqitur pranë institucioneve.
“Kjo teme e dhunës seksual me ka prekur në zemre që kur kam filluar punën në Kosovës. Mbështetja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ka fillua që nga viti 2012. Si pjesë e kësaj punë ne kemi sfiduar dhunën seksuale për të reduktuar rrezikun e të mbijetuarve në shoqëri e familje. Shumë duhet të bëhet, nuk do të ja dalim mbanë nëse nuk ja jepmi vëmendjen dhunës seksuale. Ka shumë meshkuj të mbijetuar që nuk kanë kurajo që të dalin. Vetëm 84 të mbijetuar të dhunës seksuale meshkuj në Kosovë janë paraqitur deri tani”, ka thënë ajo.
Kurse Shyrete Tahiri-Sulimani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë përjetuar dhunën gjatë luftës të kërkojnë të drejtat e tyre për trajtim, rehabilitim dhe qasje në drejtësi.
Në këtë konferencë është publikuar edhe libri “Zëra të pa dëgjuar”, i përpiluar në formatin e rrëfimit të historisë gojore. Ky libër eksploron ndërlikimet e dhunës seksuale të kohës së luftës dhe drejtësisë sociale përmes tregimeve të 10 burrave të mbijetuar që kanë përjetuar traumën e dhunës seksuale dhe që merren me turpin dhe stigmën kolektive.