84 gjoba për ndotësit e mjedisit
Në kuadër të aktiviteteve të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Let’s Do It është duke vazhduar me monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunalë mjedisor.
Bazuar në të dhënat e monitorimit, rezulton se gjatë muajit dhjetor në të gjitha komunat e Kosovës janë shqiptuar 84 gjoba mandatore për ndotësit.
Komuna e Prishtinës vazhdon t’i prijë listës së komunave me më së shumti gjoba të shqiptuara, gjithsej 25, pasuar nga Komuna e Mitrovicës dhe Junikut, në të cilat janë shqiptuar 10 gjoba nga inspektorët mjedisor.
Lista e komunave vazhdon me Pejën, ku janë shpërndarë 6 gjoba për ndotësit, dhe Prizrenin ku janë shqiptuar 4 gjoba.
Me nga 3 gjoba të shqiptuara janë Komuna e Vushtrrisë, Malishevës, Deçanit, Rahovecit dhe Gjilanit.
Në Komunën e Lipjanit dhe atë të Drenasit janë shqiptuar vetëm nga dy gjoba për ndotësit, ndërsa në Komunat, si: Suharekë, Shtime, Istog, Gjakovë dhe Obiliq janë shqiptuar vetëm nga 1 gjobë për ndotësit.
Por, asnjë gjobë e vetme nuk është shqiptuar në komunat, si: Fushë Kosovë, Skenderaj, Podujevë, Viti, Kamenicë, Kaçanik, Hani i Elezit dhe Klinë.
/Epoka e re/