842 familje, fituese të kredisë së butë për strehim nga Bashkia e Tiranës
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar dje listën me 842 familje dhe çifte të reja, të cilat përfitojnë nga programi i kredisë së butë.
Ky program lehtëson çiftet e reja që të blejnë një shtëpi.
Lajmin e mirë e bëri me dije kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku edhe u miratua lista me 842 emrat fitues.
“Lajmi më i mirë që lidhet me rininë dhe çiftet e reja, ka të bëjë me 842 kredi të buta, të cilat do i japim në këtë raund të parë për 842 familje të reja, që kanë ardhur në Tiranë me aspirata e ëndrra të mëdha, për çifte të reja që kanë mbaruar Universitetin dhe sapo kanë filluar punë këtu. Strehimi i familjeve të reja apo i familjeve të prekura nga tërmeti do të jetë refreni i këtij viti”, tha në mbledhje Veliaj.
Fituesit që kanë plotësuar kriteret e përcaktuar me vendim të Këshillit Bashkiak, do të përfitojnë kredi me interesa të buta për të blerë shtëpi, falë programit që po aplikon Bashkia e Tiranës.