85% e popullsisë në Shqipëri jeton me të ardhura të ulëta
Pjesa më e madhe e shqiptarëve bëjnë pjesë në kategoritë e të ardhurave të ulëta, sipas të dhënave që jepen nga Pew Research, një institucion kërkimor amerikan.
Ky i fundit e ka ndarë botën në pesë grupe të ardhurash: të varfër (ku përfshihet 15% e popullsisë globale), me të ardhura të ulëta (56% e popullsisë), të ardhura mesatare (13% e popullsisë), të ardhura mbi mesataren (9% e popullsisë globale) dhe të ardhura të larta (7% e totalit).
Përmes formulës, Pew Pesearch të mundëson që duke i dhënë të ardhurat mujore të nxjerrësh në cilën kategori përfshihesh në Shqipëri, për vitin 2014.
Në Shqipëri, pjesa më e madhe e popullsisë i përket grupit me të ardhura të ulëta, që përbën 84.6% të totalit, nga 56% që është mesatarisht ky grup në botë. Përqindja që zë shtresa e ulët në Shqipëri është ndër më të lartat në rajon e Europë.
Shqipëria ka më pak të varfër në krahasim me mesataren globale, 1.8% e popullsisë, nga 15% e popullsisë globale. Grupi me të të ardhura të shtresës së mesme në Shqipëri është 11.2%, e përafërt me mesataren globale.
Por, aty ku Shqipëria çalon është shtresa mbi të mesmen dhe ajo e pasur, që zënë një peshë mjaft të vogël në popullsinë e vendit, ndryshe nga rajoni.
Grupi me të ardhura mbi mesataren zë 2.1% të totalit në Shqipëri dhe ai me të ardhura të larta 0.3%. Në botë, grupi me të ardhura mbi mesatare zë 9% të totalit dhe ai me të larta 7%.
Në Maqedoninë fqinje, shtresa me të ardhura të ulëta përbën 59% të popullsisë. Përqindja e popullsisë me të ardhura të mesme është shumë më e lartë në Maqedoni, me 24.7% të totalit.
Ndërsa shtresa me të ardhura mbi të mesme është sërish e lartë, në 10.7% të totalit. Edhe të pasurit në Maqedoni janë më të shumë se në Shqipëri, ata zënë 1.1% të totalit. Por edhe të varfërit janë më të shumë, në shtetin fqinj, me 4.9% të totalit.
Të 111 vendet e përfshira në studim përbënin 88% të popullsisë botërore dhe 85% të prodhimit botëror në vitin 2011. Studimi është gjithashtu ndër të parët që përdor metodën e barazisë së fuqisë blerëse të vitit 2011 (PPP), e cila bazohet në të dhënat më të fundit të vlerësimeve standarde të niveleve të çmimeve në botë.
Metoda e barazisë së fuqisë blerëse korrigjon kurset e këmbimit me dallimet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve në vende të ndryshme dhe është thelbësore për raportimin e të ardhurave të krahasueshme ndërmjet vendeve.
Në 111 vende të përfshira në këtë studim, 783 milionë banorë ishin të ardhura mesatare në vitin 2011, krahasuar me 398 milionë në vitin 2001. Kështu, popullsia me të ardhura mesatare – ata që jetonin në 10-20 $ në ditë – gati dyfishuar, duke u rritur me 386 milion në dekadën e parë të shekullit të ri./Monitor/