Beteja për titull zhvillohet në Suharekë

20 prill 2024 | 08:56

Ndeshje vendimtare për titullin e kampionit mund të jetë derbi që zhvillohet sot (e shtunë) në Suharekë mes liderit aktual në elitë, Ballkanit dhe skuadrës së dytë në renditjen tabelore, Llapit.

Dy pikë kanë dallim këto dy skuadra mes vete dhe normalisht se të dyja do t’i kërkojnë tri pikët. Rezultati pozitiv që përfshin edhe barazimin mund të jetë i mjaftueshëm për kampionët që ta ruajnë pozitën e parë, ndërsa Drita do të përpiqet të regjistrojë fitore dhe të rrëmbejë edhe pozitën e parë në tabelë.

Forma e këtyre dy skuadrave në katër ndeshjet e fundit është e njëjtë, pasi kanë regjistruar nga dy fitore dhe dy barazime. Një ditë para ndeshjes në konferencë për medie, trajneri Zekrija Ramadani ka thënë se skuadra e Dritës shkon në Suharekë me synim të madh për t’i marrë tri pikë të plota. Ai e pranon se një humbje eventuale, por edhe një barazim do ta largonte skuadrën gjilanase shumë nga gara për titull.

“Të shtunën do të jetë derbi i fundit i kampionatit, që është edhe përballja e fundit mes Ballkanit dhe Dritës. Do të jetë ndeshje e vështirë ndaj liderit të tabelës, por ne e dimë çka kërkojmë, kush jemi dhe sa mund të arrijmë. Me një mençuri dhe disiplinë taktike e kemi objektiv të marrim tri pikët e plota. Duhet të vrapojmë më shumë se kundërshtari, të gabojmë më pak se kundërshtari dhe të luftojmë më shumë në aspektin sportiv. Çdo rezultat negativ na largon nga lufta për titull. Edhe nëse fitojmë nuk do të thotë se jemi kampionë, pasi janë edhe gjashtë ndeshje të tjera shumë të forta për t’u zhvilluar. Kemi dëshmuar se në ndeshje të mëdha dhe ku ka presion të jemi në nivel tjetër. Ne motivohemi nga objektivi ynë, jo nga kundërshtari”, ka thënë Ramadani.

Sot zhvillohet edhe një tjetër ndeshje interesante. Gjilani e pret Feronikelin. Vendasit me fitore eventuale do ta shtonin diferencën ndaj “Niklit” në gjashtë pikë, kurse klubi nga Drenasi do të mundohet me çdo kusht të fitojë dhe të barazojë pikët. .Në Prizren, Liria tashmë e dorëzuar e pret Dukagjinin e Klinës që synon fitore pas barazimit në xhiron e kaluar me Llapin.

Të dielën, Malisheva, që po kalon nëpër një formë të mirë, e pret Prishtinën në stadiumin “Liman Gegaj” me synime të mëdha. Në anën tjetër kryeqytetasit kërkojnë këndellje pas humbjes në xhiron e kaluar kundër Gjilanit.

Llapi në “Zahir Pajaziti” synim të vetëm ka fitoren ndaj Fushë-Kosovës, në të njëjtën kohë pret gabimin eventual të Ballkanit dhe Dritës për të fituar terren në garën për titull, që është një synim i madh i trajnerit Tahir Batatina me klubin llapjan.

Llapi është në vendin e tretë dhe ka dy pikë me pak se Drita dhe katër më pak se Ballkani. Të gjitha ndeshjet zhvillohen nga ora 15:00.

SUPERLIGA – Java e 30-të

Të shtunën takohen:
15:00 Ballkani – Drita
15:00 Gjilani – Feronikeli 74
15:00 Liria – Dukagjini

Të dielën takohen:
15:0 Llapi – Fushë Kosova
15:00 Malisheva – Prishtina

Tabela

1. Ballkani.      29 59 pikë
2. Drita.            29 57
3. Llapi             29 55
4. Malisheva   29 52
5. Prishtina     29 40
6. Dukagjini.      29 37
7. Gjilani.            29 33
8. Feronikeli 74 29 30
9. Fushë Kosova 29 20
10. Liria               29 10

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se çfarë moti do…