90 për qind e pacientëve të trajtuar në Klinikën e Endokrinologjisë kanë qenë me diabet
Sëmundja e sheqerit, apo diabetit melit është njëra nga sëmundjet kronike metabolike, e cila për shkak të rritjes së sheqerit në gjak për një kohë të gjatë, mund të shkaktojë komplikime serioze, të cilat po nuk u mjekuan me kohë, mund ta rrezikojnë shëndetit e pacientit.
Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dr. Merita Emini-Sadiku, ka theksuar se 90 për qind e pacientëve të trajtuar në këtë klinikë kanë qenë me diabet.
“Trajtimi i diabeti melit është sëmundje që me të drejtë quhet multisistemike sepse prekë inde dhe organe të ndryshme në trup dhe ka nevojë, jo vetëm për endokrinologun dhe mjekun familjar, por edhe për shumë specialitete të tjera mjekësore, varësisht se çfarë komplikimi ka pacienti”, ka potencuar Emini-Sadiku.
Sipas endokrinologes, shumica e komplikimeve dhe rreziqeve tek diabeti vijnë si rezultat i kujdesit jo të mirë, por dhe vonesës në kërkimin e ndihmës së mjekut.
Ajo këshillon që për menaxhim të diabeti melit, nevojitet bashkëpunim i ngushtë dhe korrekt ndërmjet pacientit dhe mjekut, në zbatim të këshillave mjekësore, marrjes së terapisë së rregullt dhe kujdesit individual të përditshëm nga pacienti.
Këshillat mjekësore
Vizito mjekun kompetent, vlerëso rrezikun e komplikimeve; Të jesh me diabet, nuk do të thotë të kesh edhe komplikime në organe siç janë sytë, zemra, veshkët, truri dhe ulçerat në këmbë; Ulçerat në këmbë dhe problemet me zemër janë më të shpeshta te kontrolli jo i mirë i sheqerit dhe kur për një kohë të gjatë sheqeri në gjak, apo glikemia është e lartë; Mbajini vlerat e glikemisë nën 7, mmol/L dhe merrni këshillat e nevojshme nga mjeku juaj sidomos informohuni sa shpesh duhet matur glikeminë dhe kur duhet të bëni vizitat mjekësore; Diabetin për ta trajtuar mirë duhet bashkëpunim i ngushtë mes pacientit dhe mjekut.
Rreziku dhe llojet e komplikimeve
Komplikimet kronike mikrovaskluare me dëmtime në sy nga diabeti, apo retinopati diabetike janë 39.5 për qind; Dëmtimet e nervave të gjymtyrëve, apo neuropati diabetike distale 53 për qind; Dëmtimet në veshka apo nefropati diabetike 24.7 për qind; Komplikimet kronike makrovaskluare me sëmundje kardiovaskulare (përfshirë këtu koronaropati, hipertension dhe sëmundje kardiovaskulare tjera) 60.12 për qind e pacientëve me diabet tip 2, me sëmundje cerebrovaskulare 4.5 për qind dhe me këmbë diabetike 7.7 për qind.
Trajtimi dhe ofrimi i shërbimeve
Klinika e Endokrinologjisë posedon të gjitha shërbimet e nevojshme sa i përket sëmundjes së sheqerit; Ofron Edukim për sëmundjen, përcaktimin e dietës specifike individuale, koordinimin e terapisë, të bazuar në protokolle të përditësuara (insulinoterapi, ose barna tjera); Ofron shërbimin për këmbë diabetike, vlerësimin e komplikimeve kronike dhe rrezikun për komplikime akute dhe shërbimin gjysmë intensiv për raste të rënda të kësaj sëmundje; Ofron shërbime ambulantore specialistike çdo ditë pune, punojnë 4 deri në 6 endokrinologë, në orare të ndryshme.