900 lëndë për krime lufte janë transferuar nga EULEX-i

21 shkurt 2019 | 15:45

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e 162-të në të cilin është diskutuar Strategjia për krime të luftës.

Kryeprokurorja speciale, Drita Hajdari, ka prezantuar këtë strategji, duke bërë me dije se nga EULEX-i kanë trashëguar afër 900 lëndë të krimeve të luftës.

“Që nga qershori 2018, Prokuroria Speciale ka marr kompetenca për të ndjekur penalisht krimet e luftës. Nga ajo kohë deri në fund të vitit 2018 EULEX-i i ka transferuar afër 900 lëndë të krimeve të luftës. Bazuar në mungesën e progresit në fushën e krimeve të luftës gjatë mandateve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, Lumezi ka hartuar strategjinë për ndjekjen penale të krimeve të luftës. Gjendja aktuale e trashëguar në këtë fushë kërkon që të qasemi me strategji”, ka thënë Hajdari.

Hajdari ka thënë se se kohëve të fundit është duke përfaqësuar një rast për masakrën më të madhe që është bërë gjatë luftës.

“Në këtë gjykim nuk ka medie, nuk ka kamera dhe mendoj që nuk është mirë për Kosovën”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryeprokurori Aleksandër Lumezi, ka thënë se misionet ndërkombëtare nuk janë treguar të suksesshme për adresimin e krimeve të luftës.

“Qëllimi ka qenë që të kemi një strategji për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës duke marr parasysh se partneret ndërkombëtarë nuk kanë treguar ndonjë progres. Duke marr parasysh situatën që do të transferohet një numër i madh i lëndëve. Qëllimi është që kryesit e krimeve t’i biem para ligjit. Në bazë të Strategjisë duhet të jenë 5 prokurorë. Këto lëndë në të ardhmen duhet të trajtohen me prioritet. Pas dy dekadave gjendemi në fillim. Një numër i madh i deklaratave dhe provave nuk gjendet në dosjet që i kemi ne sepse janë jashtë Kosovës. Prandaj paraqitët nevoja që të rrisim bashkëpunimin me vendet e rajonit e sidomos me Serbinë pavarësisht gjendjes politike. 28 shkurt 1998 20 qershor 1999 do të jetë periudha e hetimit për krimet e luftës”, ka thënë Lumezi.

Në anën tjetër, kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se Strategjia për krime të luftës është strategjia më e rëndësishme për sistemin e drejtësisë.

“Është ndër strategjitë më të rëndësishme që kemi. Kemi për detyrë t’i vlerësojmë resurset e domosdoshme për punën në këtë strategji. Kjo strategji për krimet e luftës ka paraparë edhe një mekanizëm monitorues”, ka thënë Hyseni. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Skitare e Kosovës është rikthyer në zyrën e saj…