94 raste aktive me Covid-19 në Prizren, Haskuka kërkon bartjen e maskave

22 qershor 2020 | 13:27

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se në këtë qytet janë 94 raste aktive me koronavirus.

Haskuka ka thënë se brengosëse për të është gjurmimi i rasteve që kanë pasur kontakt me të infektuarit, raporton “Epoka e re”.

“Që nga fillimi i pandemisë me virusin SARS-CoV-2 në Kosovë janë identifikuar 2 169 raste pozitive, me gjithsej 36 raste të vdekjes. Sipas statistikave, në komunën tonë në total kemi pasur 216 të infektuar, prej të cilëve 117 janë shëruar, 5 persona kanë vdekur, kurse aktualisht kemi 94 raste aktive. Brengosës është fakti që kohëve të fundit gjithnjë e më shumë kemi raste të identifikuara në klinikat infektive, kurse i atyre të identifikuara nga gjurmimet është duke rënë. Kjo po ndodh për shkak se ka kërkesa të mëdha për teste, ndërkaq numri i testeve që po bëhen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, për ata që nuk kanë simptome, po zvogëlohet”.

“Ne si Komunë e Prizrenit kemi ndërmarrë hapat për mbrojtjen e stafit administrativ, në mënyrë që edhe shërbimet të vazhdojnë pa ndërprerje. Po ashtu kam kërkuar nga Inspektorati Komunal dhe Policia e Kosovës që të monitorojnë implementimin e masave nga ana e bizneseve, ku mbajtja e maskave është obligative”, ka shkruar Haskuka në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se me lehtësimin e masave kolektive, mbrojtja ndaj virusit mbetet obligim individual i çdonjërit qytetar.

“Ju lutemi që t’iu përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Mbani maska në publik, mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike”, ka shkruar Haskuka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja Jugore i ka bërë thirrje Koresë Veriore që të…