95.1 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO

16 mars 2022 | 16:47

UBO Consulting ka kryer një hulumtim në Kosovë ku qytetarët janë pyetur rreth temave të ndryshme që preokupojnë vendin.

OMNIBUS është një matje që bëhet me 1 065 qytetarë, ku institucionet, organizatat dhe bizneset mund të vendosin pyetjet e tyre për të kuptuar qëndrimin e opinionit publik lidhur me një temë të caktuar.
UBO Consulting, marrë parasysh zhvillimet e fundit në botë, rajon dhe vend, ka vendosur që të bëjë disa pyetje aktuale për të parë disponimin e opinionit lidhur me temat e ndryshme.

Duket se vazhdon të ekzistojë një disponim i lartë i qytetarëve për anëtarësim në NATO dhe BE. “95.1 për qind e të anketuarve në pyetjen ‘A duhet të anëtarësohet Kosova në NATO’ janë përgjigjur me po, 4 për qind jo ndërsa 0.9 për qind ‘Nuk e di’. Ngjashëm, në pyetjen se ‘A duhet të anëtarësohet Kosova në BE’, 93.9 për qind e qytetarëve janë përgjigjur për po, 5.2 për qind jo dhe 0.9 për qind nuk e di”, ka njoftuar UBO Consulting.

Në këtë pyetësor janë pyetur qytetarët e të gjitha etnive.

Tek shqiptarët 99.4 për qind janë përgjigjur pro anëtarësimit në NATO, 0.4 për qind kundër dhe 0.2 për qind “nuk e di”.

Ndërsa tek serbët, asnjë nuk është përgjigjur pro, 86 për qind kundër dhe 14 për qind “nuk e di”.

Minoritetet tjera janë përgjigjur 90.7 për qind pro anëtarësimit në NATO, 4.7 për qind kundër dhe 4.7 për qind nuk e di.

“Për pyetjen e anëtarësimit në BE, sipas etnive, shqiptarët janë përgjigjur me 98.3 për qind pro anëtarësimit, 1.5 për qind kundër dhe 0.2 për qind kanë abstenuar. Serbët janë përgjigjur në mënyrë identike si për anëtarësimin në NATO, asnjë nuk është përgjigjur pro anëtarësimit në BE, 86 për qind kundër dhe 14 për qind nuk e di. Ndërkaq minoritetet tjera janë përgjigjur 90.5 për qind pro anëtarësimit në BE, 7.1 për qind kundër dhe 2.4 për qind nuk e di”, ka njoftuar UBO Consulting.

Përzgjedhja e amvisërisë duke shfrytëzuar metodën sistematike të rastësisë, si dhe zhvillimi i anketës me personin i cili e ka ditëlindjen e parë më të afërt i moshës mbi 18 vjet. Pyetësori është realizuar me 1065 të anketuar.

Pyetësori është realizuar nga data 7 mars deri më 15 mars 2022 në 38 komuna të Kosovës dhe ka nivel të besueshmërisë prej 95 për qind me marzhë të gabimit prej +-3 pikë të përqindjes.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka marrë vendim…