971 afganë të strehuar në Kosovë
Në Kosovë, deri të hënën në mesditë, kanë arritur 971 refugjatë afganë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë”, Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Është bërë me dije se 810 refugjatë janë vendosur në kampin “Bechtel-Eenka” në Ferizaj, kurse 161 në kampin “Bondsteel”, po ashtu në Ferizaj.
Shtetasit afganë do të qëndrojnë në Kosovë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në ndonjë shtet tjetër anëtar të NATO-s.
Ata kanë ikur nga Afganistani pasi ky vend ka rënë nën kontrollin e militantëve talibanë, më 15 gusht.
Shumica e tyre kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikane dhe forcat e tjera aleate të NATO-s dhe tani kërcënohen nga talibanët.
Forcat ndërkombëtare, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit, janë tërhequr nga ky vend në fund të gushtit. Kosova pritet të strehojë gjithsej rreth 2 000 shtetas afganë.