Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për personat e pagjetur

26 tetor 2018 | 14:58

Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë miratuan procedurat për pranim-dorëzimin e mbetjeve mortore, që mund të ndihmojnë në kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Marrëveshja është arritur nga Grupi Punues për Persona të Zhdukur dhe është bërë me dije pas takimit të delegacioneve të Serbisë, Kosovës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Beograd.

Delegacionet pjesëmarrëse, të udhëhequra nga Velko Odalloviq, Ibrahim Makolli dhe Fabienne Bourdieu, kanë thënë se presin që procedurat e miratuara të ndihmojë procesin e gjetjes së të zhdukurve.

“Sot, 20 vjet pas luftës, 6,057 njerëz janë të raportuar në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq si të zhdukur nga konflikti në Kosovë”, ka thënë Bourdieu.

“Familjet e tyre jetojnë në pasiguri, pa e ditur se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të organizatës joqeveritare “Fondi për të Drejtën Humanitare”, nga lufta në Kosovë, më 1998-99, mbeten të zhdukur 1 658 persona. Prej tyre, mbi 1 000 janë shqiptarë, ndërsa mbi 500 janë serbë dhe të tjerë. (Rel)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se…