Bie numri i ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë

30 tetor 2018 | 13:40

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e tretë (TM3) 2018.

Në tremujorin e tretë (TM3) 2018 gjithsej janë regjistruar 2 212 ndërmarrje.
Sipas ASK-së, krahasuar me tremujorin paraprak (TM2 2018) në TM3 2018 ka pasur rënie për 16.1% të ndërmarrjeve të regjistruara. “Po ashtu, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2017) ka pasur një rënie të ndërmarrjeve të regjistruara për 0.1%. Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 519 ndërmarrje të regjistruara (23.5%); prodhimi me 214 ndërmarrje të regjistruara (9.7%); akomodim dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 212 ndërmarrje të regjistruara (9.6%); ndërtimtaria me 189 ndërmarrje të regjistruara (8.5%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 182 ndërmarrje të regjistruara (8.2%); informimi dhe komunikimi me 149 ndërmarrje të regjistruara (6.7 %); bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 145 ndërmarrje të regjistruara (6.6%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, është thënë në njoftimin e ASK-së.
Sipas ASK-së, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 149 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (97.2%); me 5 deri 9 të punësuar janë 41 ndërmarrje të regjistruara (1.9%); me 10 deri në 19 të punësuar janë 15 ndërmarrje të regjistruara (0.7%); me 20 deri 249 të punësuar janë 7 ndërmarrje të regjistruara (0.3%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruara gjatë këtij tremujori.
“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 649 ndërmarrje të regjistruara (29.3%); Ferizaj me 187 ndërmarrje të regjistruara (8.5%); Prizreni me 162 ndërmarrje të regjistruara (7.3%); Gjilani me 134 ndërmarrje të regjistruara (6.1%); Peja me 113 ndërmarrje të regjistruara (5.1%); Mitrovica me 92 ndërmarrje të regjistruara (4.2%); ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, është thënë tutje në raport.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zhuri do të bëhet me stadium të ri e modern…