Matoshi e Tahiri marrin pjesë në aksionin për pastrimin e Vushtrrisë

31 tetor 2018 | 15:59

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, të mërkurën ka vizituar Komunën e Vushtrrisë me ç’rast së bashku me kryetarin  e kësaj komune Xhafer Tahiri kanë marrë pjesë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”.

Ministri Matoshi dhe kryetari Tahiri së bashku me aktivistë dhe qytetarë kanë filluar aksionin në njërën nga deponitë më të mëdha ilegale tek varrezat e vjetra në Vushtrri.

Gjatë këtij aksioni, ministri Matoshi ka thënë se e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj është më e sigurt pa mbeturina.

“Jemi shumë të lumtur që si në Vushtrri por edhe komunat e tjera qytetarët tashmë kanë ndarë mendjen të jetojnë pa mbeturina. Në kuadër të kësaj, ne si ministri kemi nënshkruar një marrëveshje me GIZ-in andaj zotohemi që do t’i investojmë edhe 3. 5 milionë euro të tjera në menaxhimin e mbeturinave, kryesisht për komunat e Kosovës që do të jenë grante për ta”, ka deklaruar Matoshi.

Matoshi ka thënë se po konsolidohet një grant prej 20 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave në gjithë komunat e Kosovës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka falënderuar ministrin Matoshi duke thënë se komuna që ai drejton ka bërë një sërë reformash për sa i takon menaxhimit të mbeturinave.

“Sot jemi në një aksion të përbashkët për të dhënë edhe një vetëdijesim dhe shtytje më të madhe mbrojtjes së ambientit”, ka theksuar ai.

Ndërkaq Luan Hasanaj nga organizata “Let’s do it Kosova”, ka thënë se aksioneve për pastrimin e vendit po i bashkohen të gjithë akterët e vendit.

“Është kënaqësi të jemi në një organizim të tillë ku jemi bërë të gjithë bashkë në radhë të parë për të përçuar një mesazh se Kosova po pastrohet dhe për këtë po angazhohemi akterë të ndryshëm”, ka  deklaruar Hasanaj.

Aksioni për pastrimin e vendit ka filluar më 15 shtator dhe dot zgjasë deri më 15 dhjetor.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në përmbylljen…