Gashi: Po punojmë që Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s në vitin 2019

31 tetor 2018 | 16:55

Nën organizimin e Organizatës Studentore Reforma dhe Këshillit të Studentëve të Fakultetit Filozofik, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka mbajtur të mërkurën një ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Tema të cilën ministri Gashi e ka trajtuar para studentëve ishte “Trashëgimia Kulturore e Kosovës dhe UNESCO”.

Në kuadër të kësaj, ministri Gashi fillimisht ka shpalosur aktivitetet që ministria të cilën ai e drejton, është duke bërë në aspektin e ruajtjes dhe promovimit të monumenteve të cilat pasqyrojnë vlerat e mirëfillta të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Si hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij qëllimi, ministri Gashi e cilësoi përgatitjen e draft-ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore në Republikën e Kosovës, i cili pritet që në një të ardhme sa më të afërt të merr edhe miratimin e Kuvendit.

Ndërsa gjatë diskutimit të çështjes së aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ministri Gashi ka thënë se është duke u bërë një punë e madhe në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë që në vitin 2019, Kosova të mund të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO.

“Në koordinim edhe me dikasteret tjera që ndërlidhen me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, siç janë: Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministria e Punëve të Jashtme, jemi duke u angazhuar maksimalisht si në aspektin e përmbushjes së obligimeve tona ndërinstitucionale, po ashtu edhe në aspektin e lobimit tek vendet anëtare të UNESCO-s në mënyrë që të arrihet një përkrahje sa më e madhe dhe Kosova të kaloj me sukses procesin e votimit që do të mbahet në vitin 2019 dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO”, ka thënë ministri Gashi.

Në përfundim të ligjëratës së tij, ministri Gashi u dha hapësirë edhe studentëve të pranishëm që me komentet apo pyetjet e tyre të jenë pjesë aktive e kësaj ligjërate.

Studentët, duke e vlerësuar si të suksesshme punën e ministrit Gashi, përmes pyetjeve të tyre, arritën të ngrinin për diskutim shumë çështje të rëndësishme dhe me interes rreth Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Gjatë kësaj ligjërate, nga studentët, ministrit iu kërkua që të përkrahet ideja që brenda hapësirave të kampusit universitar të bëhet një muze në të cilin do të vendoseshin artefakte dhe monumente të ndryshme që pasqyrojnë Trashëgiminë Kulturore të Kosovës, gjë të cilën ministri Gashi e mirëpriti dhe u zotua se në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tij të jap maksimumin në mbështetje të realizimit të kësaj ideje shumë të qëlluar.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajnerja shqiptare Abeliana Bregu është optimiste se sporti i gjimnastikës…