Kosova, e përkushtuar në procesin e integrimit në BE
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës kanë takuar delegacionin e Komisionit për Çështje Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit të Bundestagu gjerman, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Sipas njoftimit, anëtarët e këtij komisioni kanë falënderuar deputetët e Bundestagut për mbështetjen e dhënë nga shteti gjerman ndaj Kosovës, si dhe kanë shprehur përkushtimin e tyre në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
“Në këtë takim është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe reformat në drejtësi”, është thënë në njoftimin e këtij komisioni që drejtohet nga deputetja Blerta Deliu-Kodra.
Gjithashtu në këtë takim është diskutuar edhe rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
/Epoka e re/