Rusia sanksionon qindra anëtarë të elitës ukrainase

01 nëntor 2018 | 18:08

Rusia ka vendosur sanksione financiare ndaj 322 anëtarëve të elitës ukrainase dhe 68 kompanive që janë pronë e biznesmenëve ukrainas.

Në mesin e personave të shënjestruar janë edhe djali i presidentit të Ukrainës, Oleksiy Poroshenko, ministri i Brendshëm ukrainas, Arsen Avakov, shefi i Shërbimit të Sigurisë, Vasyl Hrytsak dhe shumë të tjerë.

Sanksionet janë njoftuar përmes një dekreti të nënshkruar nga kryeministri rus, Dmitry Medvedev dhe janë publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë më 1 nëntor.

Sipas dekretit, qëllimi këtyre masave është të “luftojë aktivitetet armiqësore të Ukrainës ndaj qytetarëve dhe subjekteve të Rusisë dhe të normalizojë marrëdhëniet bilaterale”.

Sanksionet parashohin ngrirje të aseteve dhe pronave të këtyre personave në territorin rus.

Në mesin e personave të përfshirë janë edhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Ukrainës, ligjvënës ukrainas, biznismenë, zyrtarë presidencialë dhe kompani të mëdha ukrainase.

Yulia Tymoshenko, e cila është ligjvënëse e Ukrainës, ka thënë se “sanksionet e Kremlinit nuk më shqetësojnë shumë”.

Hapi i Medvedevit ka ardhur 10 ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret për t’iu hapur rrugën “masave të veçanta ekonomike” kundër Ukrainës, duke udhëzuar Qeverinë për të hartuar një listë të firmave ukrainase dhe individëve që mund të shënjestrohen me sanksione ekonomike.

Në dekretin e Putinit përmendet se masat ndëshkuese mund të anulohen nëse Ukraina largon të gjitha kufizimet që u ka vënë qytetarëve dhe kompanive ruse.

Ukraina, sikurse, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë vënë sanksioneve qytetarëve rusë, kompanive dhe subjekteve të ndryshme, në përgjigje të vendimit të Moskës për të aneksuar Krimenë nga ky shtet më 2014 si dhe për të kundërshtuar mbështetjen e separatistëve pro-rusë në lindje të po këtij shteti. (Rel)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës…