Fillon kursi për gjuhën kroate në Universitetin e Prishtinës

05 nëntor 2018 | 13:36

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” të hënën është hapur kursi “Gjuha Kroate 1” me profesoreshën nga Universiteti i Zagrebit, Ivançica Bankoviq-Mandiq.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq dhe nikoqire ishte dekania e Fakultetit të Filologjisë, Linditë Sejdiu- Rugova.

Rugova ka thënë se do të hapet së shpejti edhe kursi i gjuhës shqipe në Universitetin e Zagrebit.

“Sot do të fillojë ora e parë e mësimit në këtë kurs e cila do të jetë lëndë e obligueshme”, është shprehur Rugova.

Ndërsa ambasadorja kroate, Marija Kapitanoviq, ka premtuar se lënda e gjuhës shqipe do të jetë pjesë e Universitetit të Zagrebit.

“Gjenerata e prindërve tuaj, shumë prej tyre kanë studiuar në Zagreb. Ndoshta edhe ju do ta mësoni gjuhën këtu dhe pas diplomimit pse të mos vazhdoni ndonjë specializim apo diçka tjetër në Kroaci. Kroacia e mbështet shumë Kosovën që një kohë të gjatë”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Ivançica Bankoviq-Mandiq, ka thënë se është e lumtur që do të mbajë orët e kursit në Universitetin e Prishtinës dhe se do të mundohet që të kalojë sa më mirë me studentët.

Ky kurs është paraparë të zgjasë një semestër, me mundësi vazhdimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë mbërritur në Mexico City emigrantët e parë që udhëtojnë…