Ministri Ismaili merr mbështetjen e deputetëve gjermanë për reformat në shëndetësi

05 nëntor 2018 | 17:42

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nisur të hënën vizitën e tij zyrtare treditore në Gjermani. Në ditën e parë të vizitës, ministri Ismaili ka takuar deputetët e Komisionit për Shëndetësi të Bundestagut, me në krye kryetarin e komisionit, Erwin Ruddle.

Duke folur për shëndetësinë, ministri Ismaili u tregoi deputetëve gjermanë për reformat të cilat është duke i realizuar për transformimin e shëndetësisë kosovare.

Që këto reforma të jenë më të shpejta, ministri Ismaili kërkoi edhe ndihmën e Gjermanisë për të përmirësuar shërbimet shëndetësore. “Ne tashmë u kemi hyrë reformave të thella në shëndetësi në Kosovë. Por,  e rëndësishme për vendin tonë, gjithmonë është e mirëseardhur ndihma e Gjermanisë. Edhe këtë herë, ne diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, ka thënë ministri Ismaili pas takimit.

Trajnimi i profesionistëve shëndetësorë, binjakëzimet mes spitaleve, prurja e ekspertëve të ndryshëm nga Gjermania në Kosovë për të ndihmuar përmirësimin e shërbimeve shëndetësore ishin disa nga kërkesat dhe temat e diskutimit.

Në këtë drejtim, kryetari i Komisionit për Shëndetësi në Bundestag, Erwin Ruddle, duke përgëzuar ministrin Ismaili për punën që është duke bërë për transformimin e shëndetësisë në Kosovë, shprehu gatishmërinë e tij dhe të komisionit për ndihmë në këtë aspekt. “Ishte një takim shumë i mirë. Na vjen mirë për punën që është duke u bërë atje. Ne jemi të gatshëm që të ofrojmë çfarëdo bashkëpunimi për të cilin do të keni nevojë”, ka thënë Ruddle.

Përveç diskutimit për shëndetësi, ministri Ismaili ka kërkuar edhe mbështetjen e deputetëve gjermanë për liberalizimin e vizave për Kosovën, si vendi i vetëm në Ballkan pa të drejtën e lëvizjes së lirë. ​

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në vazhdën e…