Thaçi çmon qasjen konstruktive të Greqisë ndaj Kosovës

06 nëntor 2018 | 15:03

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim Ioannis Brachos, Sekretar Gjeneral për çështje ekonomike dhe zhvillim në MPJ të Greqisë dhe Constantina Athanassiadou, udhëheqëse për çështje ekonomike në MPJ të Greqisë, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Greqisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova e çmon qasjen konstruktive të Greqisë ndaj Kosovës dhe përkrahjen që po i jep në organizatat ndërkombëtare.

“Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me Greqinë dhe po punojmë që këto të thellohen edhe më tutje”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka mirëpritur edhe marrëveshjen në mes të Athinës dhe Shkupit rreth kontestit të emrit, duke shtuar se “ky është kontribut për stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit”.

Kurse sekretari Brachos ka pohuar se Greqia sheh potencial në rritjen e shkëmbimit ekonomik në mes dy vendeve dhe “po kërkon mundësitë për thellim të bashkëpunimit dhe shkëmbimit ekonomik”.

Presidenti Thaçi e mirëpriti angazhimin e sekretarit Brachos dhe ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe rajon, të cilat do të mundësojnë që vëmendja dhe resurset të përqendrohen në zhvillim dhe bashkëpunim ekonomik.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gervinho i ka surprizuar të gjithë me formën në Serinë…